Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar për përplasjen mes policisë dhe qytetarëve që po protestonin për pronat e tyre që preken nga projekti TID.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji e konsideron brutalitetin dhe dhunën policore si shenja paniku të një regjimi të degraduar, duke theksuar se një qeveri normale dialogon dhe zgjidh problemet, jo dhunon qytetarët.

 

Ish-deputeti bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të personave, të cilët u ndaluan gjatë protestës.

 

Postimi i Salianjit:

Brutaliteti dhe dhuna policore janë shenja paniku, jo force. Janë reagimi i fundit i një regjimi të degraduar që ka humbur legjitimitetin. Një qeveri normale dëgjon qytetarët. Një qeveri demokratike dialogon. Një qeveri e përgjegjshme zgjidh problemet. Vetëm një pushtet i kapur nga korrupsioni zgjedh të dhunojë.

Sot qytetarët në Durrës nuk po kërkojnë privilegje. Po kërkojnë të drejtën themelore: pronën e tyre. Por çfarë bën qeveria dhe bashkia? I grabit me çmime qesharake. I shpronëson me presion. I kërcënon me polici. Kjo nuk është qeverisje. Kjo është zhvatje me uniformë.

Shqipëria nuk ka nevojë për polici kundër qytetarëve të saj. Ka nevojë për shtet në shërbim të tyre. Sepse kur pushteti fillon të marrë pronën, dinjitetin dhe lirinë, nuk është më demokraci, është regjim dhe çdo regjim që dhunon qytetarët e vet, e ka rënien vetëm çështje kohe.

Policia duhet të lirojë menjëherë Artion Bajramaj, Orest Berberi, Isuf Idrizi dhe Elton Doka që i mori forcërsisht duke dhunuar të drejtën e tyre për të protestuar!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re