Autori i “NgA Kalaja” në Fax News dhe aktivisti, Aulon Kalaja, vijon përballjet në gjykatë me kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, i cili e ka paditur për shpifje.

Në përfundim të seancës së radhës në Gjykatën e Tiranës (Dhoma Penale), Kalaja u shpreh se u shqyrtuan një pjesë e konsiderueshme e provave të paraqitura nga ana e tij dhe ekipi mbrojtës.

Sipas tij, përmes materialeve audio dhe video ka arritur të vërtetojë para trupës gjykuese të gjitha deklaratat e bëra më herët në media.

“Seanca ishte për shqyrtimin e provave për pretendimet e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ndaj meje për shpifje. Deri tani janë zhvilluar 8 seanca. Me video dhe audio kam vërtetuar para gjykatës të gjitha çfarë kam shprehur në media dhe nuk jam tërhequr nga asnjë deklaratë,” deklaron Kalaja.

Ai bëri me dije se gjatë seancës u shqyrtua afro gjysma e provave dhe pas rreth dy orësh gjykata vendosi ndërprerjen e saj, duke caktuar datën 19 shkurt, ora 14:00, për vijimin e procesit, ku pritet të merren në shqyrtim provat e tjera.

Kalaja theksoi se padia e ngritur nga Veliaj është një padi strategjike. “Kjo është padi strategjike nga ana e zotit Veliaj, sepse hallin që ai ka nuk ia zgjidh dot,” u shpreh ai.

Procesi gjyqësor mes palëve pritet të vijojë në seancën e ardhshme, ndërsa mbetet për t’u parë vendimmarrja e gjykatës lidhur me pretendimet për shpifje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re