Kostoja e jetesës në Shqipëri po rritet në mënyrë të pandalur. Në janar inflacioni rezultoi 2.3% nga 1.9% që ishte inflacioni në janar të vitit 2025. Referuar INSTAT peshën më të madhe në inflacion e ka shporta ushqimore me në total 411 produkte, dhe më pas janë grupet e tjera.

Ushqimet po shtrenjtohen ndërkohë që një pjesë e madhe e tyre duke qenë se vijnë nga importi duhet të ishin më të lira. Shkurti po regjistron vlerat më të ulta të këmbimit për euron dhe dollarin. Monedha evropiane është zhvlerësuar me gati 25% prej vitit 2022 kur nisën luhatjet në kurs, dhe po me të njëjtin ritëm është zhvlerësuar edhe dollari amerikan.

Por përsa kohë shqipëria tek ushqimet 1 eksporton dhe 3 i importon, edhe zhvlerësimi i valutave duhet të kishte sjellë ulje të ccmimeve në treg por që në fakt nuk ka ndodhur. Gjatë vitit 2025 kemi eksportuar 532 milionë euro produkte ushqimore/duhan, dhe kemi importuar nga jashtë 1.6 miliardë euro.
Shqipëria blen nga tregu i huaj thuajse çdo produkt ushqimor, por dominojnë drithërat, frutat dhe zarzavatet. Vjet teksa prodhimi vendas i grurit kalbej e hidhej nëpër kanale, Shqipëria importoi 374 mijë tonë drithëra nga shtetet e huaja me vlerë 104.8 milionë euro.
E njëjtë është situata edhe tek zarzavatet e frutat, ku tonelata prodhim u mbetet stok fermerëve shqiptarë, ndërsa importi dominon kudo.

Por nga furnizohemi me import? Mishin nga Brazili, bulmetin nga Italia, Gjermania, Greqia dhe Serbia. Zarzavatet nga Egjipti, Greqia, Kosova. Frutat nga Greqia, Italia dhe deri në Ekuador, bulmetin nga Italia e shtete të rajonit, kurse drithërat nga Serbia dhe Rusia.
Ndërsa shteteve të huaja ne u shesim më shumë zarzavate. Vjet u eksportuan 174 mijë tonë zarzavate me vlerë 141 milionë euro, ndjekur nga erëza dhe caj rreth 9.8 milionë euro.

Çmimet e ushqimeve dhe të karburantit në shqipëri janë shumë më të shtrenjta edhe në raport me rajonin. Si shembull do të krahasojmë çmimet e 6 produkteve në Shqipëri dhe në Maqedoni të Veriut.

Kostoja e tyre në Maqedoni është maksimumi 620 lekë, të njëjtit në Shqipëri mbi 1 mijë lekë. Pra diferenca është tepër e lartë, përsa kohë të dy shtetet kanë paga thuajse të njëjta.
Për të shmangur abuzimet autoriteti i Konkurrencës në mes të dhjetorit 2025 nisi të monitorojë tregun e produkteve ushqimore, duke u bazuar në shportën kryesore të ushqimeve.
Për Report TV, Autoriteti i Konkurrencës thotë se ende nuk ka rezultate nëse u abuzua me çmimet në këtë periudhë, pasi ka zgjeruar afatin e monitorimit.
- “Monitorimi i posaçëm i tregut të mallrave të shportës është zhvilluar duke analizuar çmimet e produkteve të shportës në tre momente kryesore: periudhën para festave, gjatë festave dhe pas festave të fundvitit. Informacioni ardhur pranë Autoritetit deri më tani është i pjesshëm nga supermarketet. Në këtë informacion që vijon të vijë pranë AK, përfshihen edhe të dhëna mbi çmimet e muajit tetor, nëntor, dhjetor 2025 dhe janar 2026 me qëllim krijimin e një baze krahasuese sa më të plotë. Autoriteti i Konkurrencës është në proces analizimi të trendit të çmimeve për të vlerësuar dinamikën e tregut dhe për të identifikuar nëse ka elemente që mund të rezultojnë në sjellje të mundshme në kundërshtim me rregullat e konkurrencës”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Por një nga rastet më të dukshme të abuzimit me çmimet është edhe ai në sektorin hidrokarbur. Nafta bruto edhe pse kushton më pak se vjet, dhe pavarësisht zhvlerësimit të dollarit çmimi i karburantit, në tregun shqiptar nuk lëviz. Pas një ulje të lehtë me 1 lekë në maj të 2025-ës, çmimi i naftës me pakicë në treg nuk ka pësuar më rënie, por një rritje të lehtë.

Pritshmëritë e institucioneve janë që norma e inflacionit këtë vit të jetë rreth 3.6% ose 1.4% më shumë se në 2025-ën./Shqiptarja
