Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje sot për heqjen e të drejtës së votës për ata që shpallen fajtorë për akte dhe komente antisemite, raciste dhe diskriminuese, duke theksuar se politikanët duhet të jenë roje të demokracisë.
“Shumë shpesh, dënimet e dhëna autorëve të krimeve dhe veprave penale antisemite duken qesharake”, tha presidenti francez gjatë një eventi në kujtim të Ilan Halimit, një të ri hebre i rrëmbyer dhe i torturuar për vdekje në vitin 2006 në Francë.
“Qeveria dhe Parlamenti do të punojnë për të forcuar kriminalizimin e akteve antisemite dhe raciste”, tha presidenti francez, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Macron shprehu kundërshtimin e tij ndaj “antisemitizmit islamist, shkakut kryesor të pogromit të 7 tetorit” në Izrael, “antisemitizmit të ekstremit të majtë, i cili, tha ai, konkurron me atë të së djathtës ekstreme dhe klishetë e saj të pushtetit dhe pasurisë”, dhe “antisemitizmit që përdor maskën e antisionizmit për të fituar terren në heshtje”/CNN
