Ndryshimet ligjore që do të firmosë dhe depozitojë nesër Kryeministri Rama bashkë me Taulant Ballën dhe Ulsi Manjën, nuk e shpëtojnë Belinda Ballukun, pasi ligjet nuk kanë fuqi prapavepruese.

Pra, masa e sigurisë  ndaj numrit të dy të qeverisë dhe ministres së infrastrukturës dhe energjisë, do të ngelë në fuqi dhe Balluku është e pezulluar.

Por ndryshimet ligjore të propozuara nga kreu i mazhorancës, nuk do të shpëtojnë nga pezullimi vetëm kryeministrin dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, por të gjithë krerët e institucioneve që burojnë nga Kushtetuta.

Këtu përfshihet, Presidenti i Republikës (Bajram Begaj), Avokati i Popullit (Endrit Shabani), Kreu i KLSH-së (Arben Shehu) dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (Genc Sejko).

Ndërhyrja do të bëhet në Kodin e Procedurës Penale, konkretisht në nenin 242, ku përcaktohet se ndaj kujt nuk mund të vendoset masa e sigurisë pezullim nga detyra.

KODI I PROCEDURËS PENALE, NENI 242

SI ËSHTË…..

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

SI BËHET….

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.

LEXO EDHE: Pezullimi i Ballukut/ Rama paralajmëron: Të hënën depozitojmë nismën për ndryshimet ligjore

Gjatë podcastit të kësaj të diele, kryeministri Edi Rama u shpreh ndër të tjera:

“Pra, faktikisht nëse ti thua që “unë pezulloj një minister”, “unë pezulloj Presidentin e Republikës”, “unë pezulloj Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” dhe ku di unë disa të tjerë që mbulojnë funksione të padelegueshme, faktikisht, ti prodhon një pasojë të menjëhershme të barabartë me shkarkimin, sepse nuk është pezulluar thjesht personi, siç mund të ndodhë me një drejtor, punën e të cilit e bën dikush tjetër, por është pezulluar funksioni.

Ndërkohë që, pikërisht për shkak të funksionit, emërimi apo shkarkimi i ministrit, nuk është gjëkundi kurrë në asnjë vend të botës mund ta them me plot gojën tani, sepse nuk e ka nxjerrë dot kush një rast, kur në një vend të botës, kjo kompetencë është e një prokurori dhe një gjykatësi në një seancë paraprake, drejtësia duhet të jetë e pavarur.

Sot ajo është e pavarur dhe duhet të mbetet përgjithmonë e pavarur, por pavarësia e pushtetit gjyqësor mbaron aty ku fillon pavarësia e dy pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit, të cilat ndër të tjera kanë edhe të drejtën dhe detyrën të emërojnë apo të shkarkojnë ministra dhe kjo e drejtë dhe detyrë, nuk ndahet me gjyqësorin, nuk i takon gjyqësorit dhe nuk mund të lejohet që ta marrë gjyqësori.

Gjithsesi, tanimë kur as Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për rastin konkret, ne do të kalojmë përtej rastit konkret dhe të hënën në cilësinë e deputetit, unë, së bashku me Kryetarin e grupit Taulant Balla dhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, pra, me tre firmat tona do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë. Nisma do t’i paraqitet fillimisht, Grupit Parlamentar në mbledhjen e tij të fillim javës, ditën e hënë në mëngjes, dhe do të jetë transparente edhe për opinionin publik, pasi prezantimi i nismës do të bëhet me praninë e medias”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re