18 vjeçarja Natali.M, e plagosur mëngjesin e 14 shkurtit në një dhomë hoteli në zonën e Saukut në Tiranë, vijon të jetë në spital ndërkohë që policia nuk ka gjetur ende armën e ngjarjes.

Dëshmitë flasin për një vetëplagosje në kushtet e tronditjes emocionale, megjithatë hetimet vazhdojnë.

Pas arrestimit të dy personave menjëherë pas ngjarjes për moskallëzim krimi policia e Tiranës ka vënë në pranga sot dhe 22-vjeçarin Erisjaldo Gjuta, i dashuri i 18-vjeçares, i cili rezulton të jetë nipi i Vladimir Gjutës.

LEXO EDHE: Plagosja e 18-vjeçares në hotel, arrestohet nipi i Vladimir Gjutës

Ai akuzohet për veprat penale ‘Moskallëzim i krimit’, ‘Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës’, kryer në bashkëpunim, dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit’.

22 vjeçari mohon përfshirjen në ngjarje duke thënë se kur ka dëgjuar të shtënat ka qenë në pjesën e barit me familjarët e tij.

Sipas tij janë ngjitur me vrap në dhomën ku ishte e dashura, dhe e kanë gjetur të plagosur.

Fillimisht kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë, por kur kanë parë se gjendja është serioze, kanë vendosur që ta çojnë në spital.

Arma dyshohet se i përket pikërisht 22-vjeçarit.

Ende në kërkim nga uniformat blu vijon të jetëSajmir Gjuta, babai i 22-vjeçarit dhe kushëriri Elvir Gjuta, 24 vjeç.

18-vjeçarja u plagos me armë zjarri në hotel Gjuta, në zonën e Saukut në Tiranë, në dhomën e hotelit në pronësi të familjes së të dashurit të saj, nipi i Vladimir Gjutës, një personazhi me precedentë kriminalë, ish i dënuar.

Policia zyrtarisht njoftoi se 18-vjeçarja ishte dërguar në spitalin e Traumës rreth orës 00:15 të 14 shkurtit.

Vajza rezulton e plagosur me armë zjarri në gjoks dhe tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, pasi i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Aktualisht ajo po mbahet në observim dhe është nën monitorimin e vazhdueshëm nga stafi mjekësor.

18-vjeçarja është dërguar në spital nga nëna e 22-vjeçarit Mirvete Gjuta, tashmë e arrestuar, dhe nga kushëriri i Erisjaldos, Elvir Gjuta 24 vjeç.

Se cili është roli i vërtetë i tyre në gjithë këtë ngjarje, pritet të zbulohet nga hetimet e mëtejshme, por në deklaratën paraprake të policisë thuhet se dyshohet se ata kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin. Madje kanë fshehur edhe armën me të cilën u shkaktua plaga në gjoksin e 18-vjeçares, pasi grupi hetimor nuk e ka gjetur atë në dhomën e hotelit ku ishte e reja.

Dy shoqëruesit e 18-vjeçares e cila është me origjinë nga fshati Shtiqën i Kukësit, kishin thënë në spital se vajzën nuk e njohin, por e gjetën të shtrirë te rreth-rrotullimi pranë Fakultetit Ekonomik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re