Bardhyl Fusha, i cili pak ditë më parë tentoi të grabiste me kallashnikov një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.
Ndërkohë avokati i tij ka kërkuar që të vlerësohet gjendja psikologjike dhe mendore e klientit të tij, në momentin e ngjarjes.
Fjala e mbrojtësit ligjor, avokatit Mirash Ndoci:
Në cilësinë e mbrojtësit ligjor të shtetasit Bardhyl Fusha, ndjej detyrimin të sqaroj opinionin publik lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe qëndrimin e mbrojtjes.
Nga dinamika e fakteve të bëra publike rezulton se: Z. Fusha është paraqitur në ambientet e bankës në mes të ditës; Ka qenë i pamaskuar; Ka lënë mjetin e tij personal të parkuar përpara bankës; Pas daljes nga banka është dorëzuar menjëherë ndaj punonjësve të policisë; Nuk ka ushtruar rezistencë dhe nuk ka tentuar arratisje; Nuk ka pasur pasoja fizike apo humbje jete.
Këto elementë, për mendimin e mbrojtjes, nuk përputhen me tipologjinë e një grabitjeje të organizuar apo të mirëstrukturuar, por tregojnë mungesë planifikimi profesional, mungesë strategjie arratisjeje dhe mungesë përshkallëzimi dhune.
I dyshuari Bardhyl Fusha ka deklaruar se ka vepruar në kushtet e një presioni të rëndë financiar, për shkak të detyrimeve të papaguara ndaj punonjësve të tij në një shumë të konsiderueshme. Subjekti tregtar që ai ka administruar rezulton me vështirësi serioze ekonomike dhe detyrime tatimore, çka ka rënduar më tej situatën e tij personale dhe psikologjike.
Mbrojtja vlerëson se kemi të bëjmë me një akt të izoluar, të kryer në një moment tronditjeje të fortë emocionale, dhe jo me një prirje kriminale të qëndrueshme.
Për këtë arsye, në kuadër të procesit gjyqësor, mbrojtja ka kërkuar:
Caktimin e një mase sigurimi më të butë se “arrest në burg”, duke qenë se nuk ekziston rrezik arratisjeje apo përsëritjeje;
Kryerjen e një ekspertimi psikologjik/psikiatrik për të vlerësuar gjendjen mendore të tij në momentin e ngjarjes.
Ne respektojmë plotësisht organet e drejtësisë dhe presim që çështja të trajtohet me objektivitet, proporcionalitet dhe në përputhje me standardet e një procesi të rregullt ligjor.
Bardhyl Fusha, sipërmarrës, hyri mesditën e 12 shkurtit në ambientet e bankës i pajisur me armë zjarri dhe arriti të merrte 8 milionë lekë të vjetra.
Në dëshminë e tij, 58-vjeçari ka deklaruar se grabitjen e ka kryer për shkak të borxheve që u ka personave të tjerë.
Sipërmarrësi në fushën e ndërtimeve ka treguar se kishte rreth 70 milionë lekë të vketra borxhe të pashlyera tek punëtorët.
Ai ka rrëfyer se kishte zgjedhur të grabiste pikërisht “FiBank”, për shkak se kishte shkuar edhe herë të tjera aty kur kryente pagesat.
Dinamika e ngjarjes
58-vjeçari Bardhyl Fusha u fut i pamaskuar në ambientet e bankës dhe me një çantë në dorë, ku brenda saj kishte një armë kallashnikov.
Menjëherë sapo është futur brenda, ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në dysheme.
Pas këtij momenti, autori është drejtuar për te arka e bankës, ku mësohet se ka arritur të marrë shumën prej 8 milionë lekësh, të cilat i ka futur në çantë dhe ka tentuar të largohet.
Ndërkohë, një qytetar aty pranë ka arritur të njoftojë policinë ku në kohë rekord patrulla mbërriti dhe kapi autorin e dyshuar i cili po dilte nga dera e bankës.



