
Reshjet e shumta të shiut të ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme në disa akse rrugore. Një pjesë e konsiderueshme e murit mbajtës është shembur mesditën e sotme pranë fshatit Lozhan.
Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë sjellë problematika serioze në infrastrukturën rrugore. Mesditën e sotme, në aksin rrugor Maliq–Lozhan, në afërsi të fshatit Lozhan, është shembur një segment i murit mbajtës, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Sipas informacioneve paraprake, muri i shembur kishte një gjatësi mbi 10 metra dhe një lartësi rreth 3 metra. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar.
Në një komunikim telefonik me gazetarin Shkëlzen Henkoja, drejtuesi i mjetit, z. Erald Çarçiu, i cili po udhëtonte nga Gramshi në drejtim të Korçës, rrëfeu momentin e rrezikshëm.
“Pashë që muri po lëvizte dhe nuk po u besoja syve. Ndalova menjëherë automjetin dhe eca pak mbrapa. Vetëm pak sekonda më pas, muri u rrëzua plotësisht,” – u shpreh ai.
Drejtuesi i mjetit apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht gjatë udhëtimeve në orët e natës, ndërsa u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa të menjëhershme për sigurimin dhe rehabilitimin e këtij aksi rrugor.



