Detaje të reja zbardhen nga hetimi i prokurorisë se Tiranes e cila ka dyshime se rekrutimi i Muçi Shaljanit në AMP, nuk ka qenë rastësor por është bërë me qëllime të tjera që nuk kanë të bëjnë me profesionin, por për t’ju shërbyer grupeve kriminale.

Dyshohet se për këtë qëllim është gjetur ekzaktësisht edhe funksioni që iu dha e që kishte të bënte me vëzhgimin.

Ndërkohë që drejtori Gëzim Sala vijonte të ishte në detyrë dhe ciklonte çdo shkresë, madje edhe për veprime hetimore të te prokurorisë për punonjës të policisë gjë që pengonte edhe hetimet që kishin nisur ndaj tij.

Këto janë arsyet që bindën prokurorin Bledar Valikaj të kërkonte masë pezullimi ndaj tij deri në përfundim të hetimit.

Atentati mafioz i Rinasit që i mori jetën punonjësit të amp dhe Gilmando Danit, prej disa ditësh po hetohet nga SPAK, pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë.

ATENTATI NË RINAS

Gilmando Dani e miku i tij Sheqeri sapo ishin kthyer nga Barcelona më 11 nëntor 2025, ku kishin qëndruar për 4 ditë. Gjithçka ndodh në 80 sekonda.

Makina “Toyota” e autorëve po priste prej 10 minutash, me bllokazhin e aktivizuar, në rrethrrotullimin e Rinasit.

Sapo një informator i lajmëron se “Mercedes Benz”-i, me ngjyrë të bardhë, ku ndodhej shënjestra Gilmando Dani dhe miku i tij, doli nga aeroporti dhe po vinte në drejtim të tyre, makina lëviz dhe zë pritën në krahun tjetër.

Sapo afrohet mjeti i Danit, 3 persona të maskuar dhe me kallashnikovë nisën breshërinë e plumbave.

Të shtënat vijojnë pa ndërprerje drejt makinës, e cila për inerci lëviz edhe për disa metra të tjera në krahun e kundërt të rrethrrotullimit, për të ndaluar thuajse në korsinë tjetër.

Në këtë moment, 3 atentatorët kthehen në makinë, ndoshta me synimin për t’u larguar, por njëri prej tyre, i pabindur se puna ishte kryer siç duhet, niset sërish drejt makinës.

Në gjysmë të rrugës tenton disa herë të qëllojë, por pa sukses, pasi dyshohet se i bllokohet arma.

Makina e autorëve niset dhe bënë disa metra, duke iu afruar më shumë rrethrrotullimit. Njëri prej autorëve i dërgon një tjetër armë kolegut të tij, i cili me pistoletë në dorë, afrohet te xhami i pasagjerit, qëllon disa herë për t’u siguruar se Gilmando Dani është ekzekutuar dhe kthehet.

Për të shmangur ndonjë lëvizje të mundshme të të plagosurit Muçi Shaljani, atentatori i dytë kthehet sërish dhe nga distanca qëllon gomat e makinës. Të dy, qetësisht mbledhin disa sende që u kanë rënë mbi rrethrrotullim dhe nisen me vrap drejt makinës, e cila niset për arratisje drejt rrugës te Ura e Tubit, ngjitur me aeroportin e Rinasit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re