Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deklaroi se nivelet e larta politike ushtrojnë presion ndaj administratës publike dhe më pas zëvendësojnë nëpunësit me persona të gatshëm të firmosin vendime të kundërligjshme.
Malaj tha se vendi përballet me korrupsion horizontal dhe me kapje të shtetit, duke e lidhur këtë fenomen me ndërthurjen e politikës me interesa kriminale dhe ekonomike. Ai iu referua edhe raportit të fundit të Transparency International, i cili evidenton përkeqësim të perceptimit për korrupsionin.
Sipas tij, nëpunësit refuzojnë të firmosin dokumente kur ato bien ndesh me ligjin. Malaj theksoi se një zyrtar mund të zbatojë një urdhër vetëm nëse e merr atë me shkrim, duke e konsideruar këtë si procedurë të detyrueshme administrative.
Ai shtoi në “Off the Record” se presioni mbi administratën krijon terren për zëvendësimin e punonjësve me persona politikisht të lidhur, të cilët pranojnë të firmosin pa kundërshtim. Në fund, Malaj kërkoi ndryshime që garantojnë barazi para ligjit dhe shmangin, sipas tij, krijimin e mbrojtjeve të veçanta për segmente të caktuara të pushtetit.
Arben Malaj: Unë kam ngritur që në fillim shqetësimin se kemi korrupsion horizontal, kemi kapje të shtetit kur bashkohet krimi me pushtetin, kur kriminelët bëjnë politikë dhe politikanët bëjnë biznes. Edhe raporti i fundit i Transparency International flet për përkeqësim të nivelit të korrupsionit. Edhe ata që thonë se “duhet pak korrupsion se nuk ecën ekonomia, se janë trembur njerëzit nëpër ministri dhe nuk firmosin për tendera”, unë u them se nuk firmosin pasi ajo që u kërkohet është antiligjore.
Pra, nivelet e larta politike ushtrojnë presion te punonjësit duke i hequr bukën e gojës, dhe pastaj marrin patronazhistë që firmosin gjithçka. Korrupsioni dhe kapja e shtetit është kanceroze në jetën tonë shoqërore dhe ekonomike. Duhet ndërgjegjësim i plotë. Ose të bëjmë ndryshime kushtetuese që ligji të jetë i barabartë për të gjithë, asnjë imunitet; ose do të krijojmë ishuj me mbrojtje specifike dhe pastaj do të kalbet shteti./Pamfleti
