Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij para qytetarëve të mbledhur para kryeministrisë se, ata, protestuesit me kryengritjen e tyre kanë arritur që ti thonë botës se, në Shqipëri në pushtet është një monstër.
Ai u shpreh se, zëri i shqiptarëve protestues është dhënë nga agjencitë më të mëdha të botës.
Berisha ftoi qytetarët dhe kryesisht të rinjtë, ti bashkohen protestës së 20 Shkurtit në Tiranë.
“Policia ushtroi dhunë ndaj të rinjve të shoqëruar në protesta. Kjo organizatë kriminale e ka vendin për dekada në burg. Ka njerëz të ndershëm në polici, por ka edhe kriminelë, që meritojnë të qëndrojnë në qeli për vite e vite me radhë. Agjencitë më të mëdha të botës kanë dhënë zërin tuaj, ata kanë dhënë vendimin e Ramës për të mbrojtur veten nga vjedhjet, ata kanë dhënë vendimin e Ramës për të mbrojtur organizatën kriminale nga drejtësia, kanë dhënë zërin e opozitës shqiptare. Përmbysja e kësaj qeverie është kryemisioni i jetës sonë. Ne i thamë botës se kemi një monstër në pushtet, që përdor pushtetin për drogën e krimin, që vjedh nga mëngjesi në darkë. Ne jemi të vendosur ta rrëzojmë nga pushteti atë. Do të veprojë populli mbi këtë qeveri kriminale, opozita shqiptare do e mbrojë ligjin dhe Kushtetutën.
Edi Rama, yt atë xhelati Kristaq Rama, daja yt xhelati Spiro Koleka 35 vite më parë bënin thirrje për tanke ndaj studentëve, kurse ti tani përdor mandatet e krimit si mburojë për të vjedhur shqiptarët. Ata i zvarritën, ty të zvarrisin. Kryengritja paqësore është zgjidhja jonë, por ti meriton të gjitha mënyrat. Ne nuk pajtohemi kurrë me një organizatë kriminale që kemi në krye. Kështu shkojmë në 20 shkurt. Shkojmë në 20 shkurt me një trashëgimi, kur kemi kaluar me tanke e me autoblinda kultin e Enver Hoxhës, më të keqin që shqiptarët kanë njohur në histori. Ftoj çdo shqiptar që në 20 shkurt në orën 18.00, Tirana dhe Shqipëria të derdhet në bulevard. Këto janë armiqtë dhe pushtuesit më të egër që kemi njohur. Këta kanë kryer krimet më të shëmtuara dhe duhet të mbajnë përgjegjësi. Rini, ju bëj thirrje, lini shkollat dhe mbushni sheshet. Shqipëria të mbetet në zemrën dhe shpresën tuaj”, deklaroi Berisha.
Partia Demokratike ka thirrur protestën e radhës kombëtare para Kryeministrisë në date 20 shkurt.



