Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook-un e tij një pjesë nga biseda telefonike me ish presidentin e Kosovës Hashim Thaçi me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë.
Sipas Ramës, telefonatat e 17 shkurtit nga Haga ka qenë gjithmonë të vështira emocionalisht, por shton se Thaçi ishte i qetë në zërin e tij.
“Prej vitesh telefonata e urimit të 17 shkurtit nga Haga është e vështirë emocionalisht, por sot Komandanti ishte si asnjëherë i qetë në zërin e tij, duke ma përsëritur dy herë, në fillim e në fund, “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem atë nuk ma merr dot kurrë askush!”, shkruan Rama në Facebook.
18 vite më parë, më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në një mbledhje të jashtëzakonshme, me bekimin ndërkombëtar, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Ky 17 shkurt, i 18-i si shtet i pavarur, e gjen Kosovën, me sfidën e gjyqit në Hagë për 4 ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që luftuan për ta parë vendin të lirë.
Mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë për të marshuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj të cilëve Prokuroria Speciale në Hagë ka kërkuar gjithsej 180 vite burgim.
Marshimi me moton “Drejtësi, jo politikë”, i organizuar në sheshin “Skënderbeu”, ka bërë bashkë qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora. Pjesëmarrësit kërkojnë drejtësi për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Tubimit i janë bashkuar dhe krerë të shtetit të Kosovës dhe figura të njohura politike, mes tyre presidentja Vjosa Osmani, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, si dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Mes protestuesve ndodhet edhe djali i ish-presidentit Thaçi.
LEXO EDHE: Fjala e fundit për ish-krerët e UÇK-së, çfarë pritet të ndodhë nesër në Hagë?



