Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nisi fjalën e tij në “Foltoren” e Krujës duke uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, në këtë 18 vjetor, Kosova vjen si një shtet, si një shembull, demokracie, drite, shprese për rajonin dhe shqiptarët.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Kruja është mbi të gjitha frymëzim për shqiptarët. Është frymëzim për lirinë, është frymëzim për atdhetarinë.
Kruja është frymëzim për çdo njeri që në çdo rrethanë, në çdo situatë, sado të pabarabartë që të jenë, betejat mund t’i fitohen, luftën e drejtë mund ta fitojë.
Ky është leksioni më i madh, trashëgimia më e madhe që na la Kruja dhe Skënderbeu për shqiptarët.
Evokoj sot këtë moment, sepse sot ne kemi një datë të madhe të shënuar në historinë e kombit, pavarësinë e Kosovës.
Në kushtet më të pabarabarta, në pamje më të pamundura, shqiptarët ia dolën të bëjnë të pamundurën të mundur.
Ia dolën me përpjekjet e tyre mbinjerëzore, me luftërat, me luftën e tyre, të bëjnë të pavarur Kosovën, të mos jenë më të shtypur, siç ishin dhe në këtë 18 vjetor, Kosova vjen si një shtet, si një shembull, demokracie, drite, shprese për rajonin dhe shqiptarët.
Pra, kthehem në ato vite kur presidenti Ibrahim Rugova çdo ditë përsëriste kërkesën për pavarësi. Ju them unë ju këtu se absolutisht asnjëri në ndonjë kancelari të huaj nuk e mbështeste këtë kërkesë.
Por ja që ajo u bë realitet, sepse ajo është një kauzë e drejtë dhe u bë një kauzë e vendeve më të mëdha, të cilat kanë sot Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera mirënjohjen tonë më të pakufishme.
Kështu që, gëzuar edhe një herë datën e dytë më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare pas pavarësisë së Shqipërisë.



