Në shkrimin e tij të fundit për New York Times, analisti Thomas L.Friedman kritikon ashpër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke argumentuar se qeveria e tij e ekstremit të djathtë po dëmton në mënyrë të pariparueshme interesat e SHBA-së, sigurinë e hebrenjve në mbarë botën dhe vetë ekzistencën e Izraelit si shtet.

Friedman pohon se Netanyahu po përdor kërcënimin iranian si një mjet shpërqendrimi për të mbajtur presidentin Trump dhe liderët hebrenj amerikanë të fokusuar tek raketat, ndërkohë që në prapaskenë po ndjek një agjendë radikale të aneksimit të Bregut Perëndimor dhe qëndrimit të përhershëm në Gazë.

Sipas tij, kjo politikë është një “pështyrje në fytyrë” ndaj Amerikës, duke i trajtuar aleatët si “budallenj”, ndërsa Izraeli po shndërrohet në një shtet të ngjashëm me aparteidin e Afrikës së Jugut. Friedman argumenton gjithashtu se përpjekjet për të kontrolluar miliona palestinezë pa u dhënë të drejta politike, janë po aq të pamundura sa do të ishte aneksimi i Meksikës nga SHBA-të.

Ai vë në dukje një ndryshim të rrezikshëm tektonik te votuesit amerikanë, duke cituar sondazhe ku shumica e republikanëve të rinj dhe progresistëve demokratë janë kundër ndihmës së pakushtëzuar ushtarake, një tendencë që po e kthen Izraelin në një “shtet të përjashtuar”.

Për Friedman, rreziku më i madh për Izraelin nuk vjen nga Irani, por nga brenda: nga përpjekjet e Netanyahut për të dobësuar sistemin gjyqësor, politizimi i shërbimit civil dhe mbështetja te fanatikët mesianë për të mbajtur pushtetin personal dhe për të shmangur gjyqet e tij për korrupsion.

Analisti thekson se Netanyahu ka bllokuar qëllimisht zgjidhjen me dy shtete, duke fuqizuar Hamasin me qëllim që të mbajë të përçarë udhëheqjen palestineze. Friedman e përfundon analizën duke deklaruar se faji për humbjen e demokracisë dhe unitetit hebre nuk i takon Teheranit, por qeverisë së krijuar nga Netanyahu, e cila po sakrifikon të ardhmen e vendit për të mbajtur veten në pushtet. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re