UEFA ka njoftuar nisjen e një hetimi disiplinor për ngjarjet e ndodhura në ndeshjen e Champions League, mes Benficas dhe Real Madrid.

Një Inspektor i Etikës dhe Disiplinës është caktuar për të analizuar akuzat për sjellje diskriminuese në stadiumin “Da Luz”, ku u aktivizua protokolli kundër racizmit pas denoncimit të Vinicius Junior.

Sipas pretendimeve të brazilianit, lojtari i Benficas, Gianluca Prestianni, përdorur fyerje raciste ndaj sulmuesit të Realit, akt ky që është dëshmuar edhe nga Kylian Mbappé. Ky i fundit ka deklaruar se ka dëgjuar lojtarin argjentinas duke e fyer disa herë bashkëlojtarin e tij, ndërkohë që vetë Prestianni i ka mohuar akuzat.

Komiteti i Etikës do të shqyrtojë provat filmike dhe pritet të marrë dëshmitë e protagonistëve dhe dëshmitarëve të pranishëm pranë incidentit. Vështirësia kryesore e hetimit qëndron në mungesën e një evidence të qartë pamore, pasi lojtari i Benficas ka mbuluar gojën gjatë momentit të debatit.

Megjithatë, rregullorja e UEFA-s është mjaft strikte në raste të tilla; neni 14 parashikon sanksione të rënda që nisin nga pezullimi me të paktën dhjetë ndeshje për këdo që fyen dinjitetin njerëzor mbi baza racore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re