
Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, është duke vëzhguar dy futbollistë të rinj për të riparuar problemet në repartin e mbrojtjes në prag të ndeshjes së “Play Off”-it me Poloninë.
Bëhet fjalë për Stavro Pilo, mbrojtësin e majtë të AEK-ut, me origjinë nga Delvina dhe i rritur në Greqi.
Sipas burimeve në FSHF, 24-vjeçari është vëzhguar gjatë kësaj kohe nga stafi i Kombëtares, ndërsa vetë lojtari është gati që të mbajë veshur fanellën kuqezi. Mediat greke e bëjnë fakt të kryer. Në këtë sezon ka luajtur 29 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe ka dhënë 4 asiste.
Lojtari tjetër është Bujar Pllana, edhe ai 24 vjeç dhe i lindur në Mitrovicë. Pllana aktivizohet në kampionatin polak me Lechia Gdansk dhe deri tani ka luajtur me përfaqësuesen Shpresa të Kosovës.
Pllana aktivizohet si qendërmbrojtës, por gjithashtu mund të spostohet edhe në krahun e djathtë, një element që e ndihmon shumë për të fituar terren në Kombëtare. Ai ka nisur procedurat për t’u pajisur me pasaportën shqiptare.
Nuk dihet ende në rast se për të dy lojtarët në fjalë Sylvinho do të ketë një ftesë për sfidën e 26 marsit në Varshavë, por e sigurt është që janë në planet e tij.
