Ministri në Detyrë Cakaj nis vizitën në Uashington me takime dypalëshe me zyrtarë të lartë amerikanë.
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj nis vizitën e tij në SHBA ku ndodhet për të marrë pjesë në Ministerialin e NATO-s, si dhe për të zhvilluar një serë takimesh dypalëshe me përfaqësues të lartë amerikanë dhe homologë të tij nga vendet aleate.
Në ditën e parë të qëndrimit në Uashington Ministri në Detyrë Cakaj, u takua me senatorin Ron Johnson, Kryetar i Nënkomitetit të Senatit për Evropën dhe Bashkëpunimin e Sigurisë Rajonale si dhe kongresmenin Lee Zeldin.
Gjatë këtyre takimeve, zyrtarët e lartë amerikanë diskutuan me Ministrin në Detyrë Cakaj rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, përpjekjeve të saj në kuadër të reformave për hapjen e negociatave si dhe rolin e rëndësishëm që ajo luan në Ballkanin Perëndimor.
