Skip to content

Çahet sërish asfalti/ U përdor si alternativë pas bllokimit të aksit Prrenjas-Librazhd, rruga Maliq-Lozhan pëson dëmtime

8291ae2f 71f7 49bc 91af 7995a170bee2

Rruga Maliq–Lozhan-Strelcë e cila për më shumë se 10 ditë u përdor si alternativë nga drejtuesit e mjeteve për të kaluar në drejtim të Gramshit pas bllokimit të aksit Librazhd–Prrenjas, ka pësuar dëmtime të reja.

Qarkullimi i vazhdueshëm i mjeteve dhe rritja e ndjeshme e fluksit gjatë këtyre ditëve duket se kanë rënduar më tej gjendjen.

Përveç rrëshqitjeve të dherave dhe dëmtimit të barrierave mbrojtëse në disa pjesë të këtij aksi janë shfaqur çarje të thella në asfalt dhe deformime të trupit të rrugës.

Edhe pse tashmë mjetet janë rralluar pas rihapjes së aksit kryesor, dëmtimet në rrugë mbeten problemi më i madh.
Deri më tani nuk është ndërhyrë për riparimin e tyre, por kjo rrugë ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të saj.

Aksi Maliq–Lozhan–Strelcë është ndërtuar nga kompania Gjikuria dhe investimi për ndërtimin e tij ka kapur vlerën e rreth 1.4 miliardë lekë. Problematikat e përsëritura në këtë rrugë kanë ngritur shpesh pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve.