Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, kanë shtruar Iftar për besimtarët, në muajin e Shenjtë të Ramazanit.
Në Iftar ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, lideri shpirtëror i Bektashinjve, Baba Mondi, ambasadorët e Gjermanisë dhe Italisë në Tiranë, artisti Laert Vasili, si dhe shumë figura të Partisë Socialiste si Toni Gogu, Erion Braçe, Sara Mila, Ervin Demo, Ulsi Manja, Igli Hasani, etj.
- “Të dashur miq dhe të ftuar. Agjërues, besimtarë dhe jo-besimtarë. Ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në sofrën tradicionale të Iftarit, që sëbashku me Lindën e shtrojmë me kënaqësi në nderim të vlerave dhe traditës së ripërtërirë të muajit të Shenjtë të Ramazanit. Sofra e Iftarit është e vetmja sofër ku je edhe shtrues, edhe i shtruar, edhe zot shtëpie edhe mik. E di që mbledh apo mblidhesh, por është diçka sipërane që bashkon, Zoti, Allahu, universi.
- Rreth kësaj sofre, ligji i padukshëm që jeton brenda çdo qenie njerëzore, ligji që na thotë se tjetri nuk është një i huaj, por një fqinj, një bashkëudhëtar, një grimcë e ngjashme përkohësie në të njëjtin qiell, merr në zotërim territore të caktuara të mendjes dhe të shpirtit. Agjërimi i mëson njeriut durimin e vetëvetes dhe rrugën e zbutjes së paraardhësit të vet të parë, shpellarit që ka brenda vetes. Ai çast bëhet dinjiteti kur buka ndahet mes të tëra duarve”, tha mes të tjerash Rama.
