Rei Manaj humbet zyrtarisht ndeshjen kundër Polonisë, e vlefshme për “Play Off”-in e Botërorit 2026.

 

Rezonanca magnetike që sulmuesi i Kombëtares ka kryer këtë të hënë ka konfirmuar një dëmtim muskulor të gradës së tretë në kofshën e majtë, çka e detyron të qëndrojë jashtë fushave të paktën për 2 muaj.

 

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi i Sivasporit, ku aktivizohet 29-vjeçari, që këtë të dielë qëndroi vetëm 7 minuta në fushën e lojës.

 

Trajneri Silvinjo duhet të bëjë llogaritë për sfidën e Varshavës, pa sulmuesin titullar, por edhe me zëvendësuesit e tij jo në formën e duhur.

 

Mirlind Daku ende nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi, ndërsa Broja edhe pse u aktivizua pak minuta këtë fundjavë është larg formës optimale dhe mbi të gjitha aktivizohet në krahun e djathtë në skemën 4-3-3.

 

Nuk përjashtohet mundësia që trajneri të rikthejë në Kombëtare Indrit Tucin, Kristjan Shpendin apo Taulant Seferin, që po bëjnë mirë me skuadrat e tyre.

 

Nga futbollistët që janë pjesë e organikës rolin e sulmuesit 9 mund ta bëjë edhe Myrto Uzuni.

 

Silvinjo pritet që të publikojë listën e futbollistëve të grumbulluar këtë fundjavë ndërsa ndeshja me Poloninë luhet më 26 Mars, ora 20.45.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re