Ne flasim vazhdimisht për lidhjen nënë-fëmijë dhe ndikimin që ajo ka në shëndetin dhe sjelljen e pasardhësve. Po çfarë ndodh me babain? Një studim i botuar në revistën “Health Psychology” vendosi të hulumtojë gjysmën që shpesh konsiderohet “e lënë pas dore” në çiftin prindëror.

Duke i vendosur baballarët në qendër të vëmendjes, kërkuesit analizuan sjelljen e tyre gjatë fëmijërisë së hershme për të kuptuar se si ky raport reflektohet në shëndetin e ardhshëm të fëmijës.

Studimi nxori në pah një lidhje direkte domethënëse midis stilit të prindërimit atëror dhe shëndetit kardiak e metabolik të fëmijëve gjatë rritjes. Elementi më interesant? Sjellja e nënave nuk shfaqi të njëjtin efekt në këta parametra specifikë.

Autorët ndoqën ecurinë e 292 familjeve, duke vëzhguar me imtësi ndërveprimet midis babait, nënës dhe fëmijës. Baballarët që treguan ndjeshmëri dhe vëmendje më të lartë ndaj fëmijëve të tyre dhjetëmuajsh, ishin më bashkëpunues dhe më pak konkurrues me nënën kur fëmija mbushi dy vjeç.

Anasjelltas, ata që ishin treguar më pak të vëmendshëm gjatë foshnjërisë, kishin prirjen të kërkonin me ngulm vëmendjen e fëmijës dyvjeçar, duke hyrë në rivalitet me nënën. Në moshën shtatëvjeçare, fëmijët iu nënshtruan testeve për katër shënjues metabolikë dhe inflamatorë.

Rezultatet treguan se fëmijët që kishin jetuar në një dinamikë konkurruese të bashkëprindërimit, kishin gjasa më të larta të vuanin nga një shëndet i dobët metabolik dhe kardiak. Po roli i nënave? Çuditërisht, i njëjti model i aplikuar te nënat nuk dha rezultate të ngjashme.

“Kjo nuk do të thotë se baballarët janë të rëndësishëm dhe nënat jo”- thekson Hannah MC Schreier, një nga autoret e studimit. “Përkundrazi, kjo sugjeron se përfshirja pozitive e babait gjatë fëmijërisë së hershme e përmirëson shëndetin e të gjithë familjes”- shton ajo.

Pse ndodh kjo? Autorët ofrojnë dy shpjegime të mundshme për këto gjetje. E para lidhet me faktin se baballarët kanë prirjen të reagojnë më fort emocionalisht ndaj tensioneve me prindin tjetër, gjë që mund t’i shndërrojë ata në një burim stresi në marrëdhënie, duke dëmtuar tërthorazi shëndetin e fëmijës.

Shpjegimi i dytë sugjeron se në përgjithësi fëmijët kalojnë më shumë kohë në ndërveprime “kokë më kokë”me nënën e tyre. Për këtë arsye, kur janë në praninë e babait, ata bëhen veçanërisht të ndjeshëm ndaj sjelljes dhe qëndrimit të tij brenda grupit familjar. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re