Skip to content

Nga Onkologjia te Pediatria, zbardhen EMRAT e mjekëve që garojnë për shefa shërbimesh te “Nënë Tereza”

640 0 69bd9b617e154

Shërbimet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” priten që së shpejti të kenë drejtuesit e tyre të rinj.

Gara për përzgjedhjen e kandidatëve të rinj në krye të shërbimeve është hapur që prej 10 shkurtit ndërsa bëhet me dije se aktualisht është drejt finalizimit për të zbuluar drejtorët e rinj.

Burime për mediat bëjnë me dije se ndryshime pritet të bëhen në krye të shërbime të rëndësishme si: Anestezi-Reanimacioni, Neurologjia, Shërbimi i Onkologjisë, Dermatologjisë, Reumatologjisë, Nefrologjisë Pediatrike, shefat e të cilëve kanë mbushur moshën e pensionit dhe e dorëzojnë këtë funksion.

Gara më e fortë raportohet se është te Onkologjiku ku përveç Prof. Helidon Nina mësohet se po garon dhe një mjek tjetër që së fundmi ka qenë mjaft i përfolur.

Ndërsa në garë për drejtimin e neurologjisë, raportohet se marrin pjesë 3 kandidatë: mjeku neurolog Altin Kuqo, Prof. Ilirjana Zekja dhe Dr. Gentian Vyshka.

Toksikologjia ka gjithashtu 4 kandidatë, ku në mesin e tyre renditen: Prof. Andrin Tahiri, Prof.Asoc. Esmeralda Thoma, Dr. Shk. Alert Drishti dhe Dr. Irena Ceko.

Ndërsa në krye të shërbimit të Anestezi-Reanimacionit do të jetë Prof.Ass. Krenar Lilaj, i cili e drejton aktualisht dhe do të vazhdojë të drejtojë këtë shërbim pasi është kandidati i vetëm në këtë garë.

Te Dermatologjia pritet të jetë Dr. Monika Fida, e cila është kandidate e vetme në garë dhe zëvendëson Prof. Ermira Vasilin.

Në krye të Nefrologjisë Pediatrike do të jetë Prof. Asc. Diamant Shtiza dhe në krye të Onkohematologjisë Pediatrike do të jetë Prof. Donjeta Bali.

Kandidatët për shefa shërbimi në QSUT:

  • Shërbimi i Anestezisë – Reanimacionit: Prof. Krenar Lilaj
  • Shërbimi i Dermatologjisë: Prof. Monika Fida
  • Shërbimi Onkologjik: Prof. Helidon Nina
  • Shërbimi i Toksikologjisë Klinike: Prof. Andrin Tahiri, Irena Thoma, Alert Drishti, Irena Ceko
  • Shërbimi i Neurologjisë: Prof. Ilirjana Zekja, Dr. Altin Kuqo, Dr. Gentian Vyshka
  • Shërbimi i Onkohematologjisë Pediatrike: Prof. Donjeta Zeqja
  • Shërbimi i Nefrologjisë Pediatrike: Prof. Diamant Shtiza
  • Shërbimi i Reumatologjisë: Prof. Ela Petrela, Dr. Ergeta Ktona, Dr. Arber Pecani, Dr. Artur Zoto
  • Shërbimi i Alergologjisë: Prof. Mehmet Hoxha

Ndër kriteret e pranimit në garë të kandidatëve mësohet se është titulli profesor por pranohen edhe ata me doktoraturë të mbrojtur në universitete të vendeve të BE, SHBA, Kanada, Turqi, Japoni.

Po ashtu kandidati duhet të ketë përvojë akademike si pedagog me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet, si dhe përvojë klinike diagnostike jo më pak se 10 vjet në specialitetin përkatës.

Përveç CV-së, kandidatët konkurrojnë ndërmjet tyre me një platformë strategjike katërvjeçare për vizionin me të cilin do të drejtojnë shërbimin që synojnë.