Sonte, në stadiumin e Varshavës dhe me zemrat e një kombi që rrahin njësoj, Shqipëria dhe Polonia përballen për herë të 16 në histori.

 

Nuk është thjesht një ndeshje, është një betejë që vlen një hap drejt ëndrrës së Botërorit, një mundësi që mund të kthehet në krenari për gjithë shqiptarët.

 

Historia mes këtyre dy kombëtareve nis shumë vite më parë. Ishte 6 nëntori i vitit 1949 kur Shqipëria dhe Polonia u ndeshën për herë të parë: përfundoi 2-1 për polakët në një miqësore ndërkombëtare.

 

Që nga ajo ditë, rrugëtimi ka qenë i gjatë, i mbushur me sfida, rritje dhe momente të vështira.

 

Por kapitulli i fundit tregon një histori tjetër. Më 10 shtator 2023, Shqipëria triumfoi me një fitore bindëse 2-0 në kualifikueset e Kampionatit Evropian, duke treguar karakter, cilësi dhe një vetëbesim të ri.

 

Në 15 përballjet e mëparshme, kombëtarja shqiptare ka arritur 2 fitore dhe 3 barazime. Shifra që flasin për një sfidë të vështirë ndër vite, por që sot marrin një kuptim të ri: çdo statistikë mund të thyhet, çdo kufi mund të tejkalohet.

 

Atmosfera brenda grupit është shumë pozitive dhe i gjithë ekipi dhe stafi është i motivuar për të zhvilluar një ndeshje të mirë.

 

Sonte, në 20:45, nuk zbresin në fushë vetëm 11 lojtarë. Zbret një komb i tërë, me ëndrrat, pasionin dhe dëshirën për të bërë histori.

 

LEXO EDHE: Faktorët kyç dhe futbollistët për tu ndjekur/ “BeIN Sports” analizon Poloni-Shqipëri dhe bën parashikimin

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re