Nuk do të mungojnë surprizat.
Kombëtarja shqiptare i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen drejt historisë, teksa mbrëmjen e sotme, në orën 20:45, do të përballet me Poloninë.
Kuqezinjtë janë në kërkim të një rezultati pozitiv në sfidën më kyçe për rrugëtimin drejt Botërorit 2026.
Kombëtarja ka pasur vetëm tre ditë në dispozicion për përgatitje, por pavarësisht kësaj, pritet të zbresë në fushë me ambicie të mëdha dhe disa ndryshime të papritura në formacion.
Në portë, besimi do të jetë sërish te Thomas Strakosha, ndërsa mbrojtja me katër do të përbëhet nga Mario Mitaj në të majtë dhe Elseid Hysaj në të djathtë, duke lënë në stol dy risitë e grumbullimit të marsit, Pllanën dhe Pilon. Në qendër do të vendosen Berat Gjimshiti dhe Arlind Ajeti, ndërkohë që Ardian Ismajli, pavarësisht formës së mirë, pritet të mbetet jashtë formacionit titullar dhe do e ndjekë sfidën nga pankina.
Në mesfushë, dyshja Kristjan Asllani dhe Julian Shehu konsiderohen të sigurt, ndërsa gara mes Ylber Ramadani dhe Qazim Laçi duket se do të fitohet nga ky i fundit.
Në sulm, Myrto Uzuni pritet të aktivizohet në krahun e djathtë, ndërsa në të majtë mundësinë do ta ketë Arbër Hoxha. Në qendër të sulmit, Nedim Bajrami parashikohet të luajë në rolin e “9-shit fals”, me mundësi që gjatë lojës të spostohet në krah, duke i hapur rrugë Uzunit për të kaluar në majë të sulmit.
E sigurtë është mungesa e Nazmi Gripshit, Jasir Asanit dhe Klisman Cakes, me treshen që është lënë jashtë listës së të gatshmëve për këtë ndeshje.



