Kërcënimet dhe sulmet e Iranit ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit kanë rritur rrezikun e tranzitit aq sa për të ndaluar pothuajse të gjithë trafikun përmes kësaj rruge vitale ujore.
Siç raporton CNN, ngushtica ka qenë praktikisht e mbyllur për gati katër javë, duke futur tregjet globale të naftës në kaos. Ky kanal është rruga kryesore për rreth 20 për qind të naftës dhe gazit natyror në botë, si dhe për plehrat kimike që mbështesin bujqësinë globale.
Ndërsa kriza energjetike thellohet, presidenti i SHBA-së Donald Trump ka vlerësuar përpjekjet diplomatike, ndërkohë që po lëviz për të vendosur mijëra trupa të tjera në Lindjen e Mesme dhe po shqyrton shoqërimin ushtarak të anijeve cisternë nga Marina Amerikane.
Megjithatë, Irani gëzon ende epërsi për shkak të metodave të tij jokonvencionale të luftës dhe gjeografisë strategjike. Ngushtica e Hormuzit është vetëm 24 milje e gjerë në pikën e saj më të ngushtë.
Pothuajse i gjithë trafiku kalon nëpër dy korsi transporti që janë edhe më të ngushta. Nick Childs nga IISS shpjegon se kjo është një sfidë unike pasi nuk ka rrugë alternative.
Hapësira e kufizuar për manovrim e bën të pamundur ridrejtimin e anijeve, duke krijuar atë që ekspertët e quajnë një “zonë vdekjeprurëse”.
Vija bregdetare e Iranit prej 1.600 miljesh lejon lëshimin e raketave nga bateri të lëvizshme, të cilat janë vështirë për t’u diktuar.
Ndërkohë eksperti tjetër Kevin Rowlands shpjegon se terreni me kodra dhe male në anën iraniane shërben si fshehje natyrore për sistemet e armëve, duke e bërë zbulimin e kërcënimeve jashtëzakonisht të vështirë.
Ndonëse SHBA-të kanë degraduar shumë nga aftësitë detare konvencionale të Iranit, rreziku kryesor vjen nga arsenali jokonvencional: dronët e lirë, anijet e vogla të sulmit të shpejtë, minat detare dhe “nëndetëset xhuxhe” që operojnë në ujëra të cekëta.
Ekspertët theksojnë se minat mund të hidhen edhe nga varka të thjeshta që duken si peshkarexha civile, duke e bërë thuajse të pamundur mbrojtjen totale.
Çdo operacion mbrojtës do të kërkonte një qasje të shtresuar, duke përfshirë satelitët, avionët patrullues dhe dronët, krahas konvojeve tradicionale.
Irani ka sulmuar të paktën 19 anije kohët e fundit. Për sa kohë që kërcënimi mbetet i lartë, kompanitë e transportit nuk rrezikojnë rifillimin e punës. Megjithatë, Teherani ka gjetur mënyra për të përfituar. Zyrtarët iranianë po vendosin tarifa për një “kalim të sigurt”.
Sipas informacioneve të siguruara nga CNN, raportet tregojnë se disa anije kanë paguar deri në 2 milionë dollarë për të kaluar, ndërsa të tjera përdorin identitete të rreme për të shmangur bllokadën.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare, gati 2.000 anije janë aktualisht të bllokuara brenda Gjirit Persik.
Edhe nëse trafiku rifillon, do të duhet kohë e gjatë për të pastruar këtë mbingarkesë. Ndërkohë që Trump flet për diplomaci, zyrtarë amerikanë konfirmuan për CNN se SHBA po dërgon Njësinë e 11-të Ekspedicionare Detare dhe anijen sulmuese USS Tripoli në rajon. Këto forca janë të specializuara për operacione amfibe dhe sulme nga deti në tokë.
Ndonëse operacionet tokësore janë përjashtuar zyrtarisht, tensionet mbeten në kulm. Së fundmi, ushtria amerikane goditi objektet në ishullin Kharg, i cili përpunon 90 për qind të eksporteve të naftës bruto të Iranit, si paralajmërim për bllokadën e vazhdueshme të ngushticës. /tesheshi.com/


