Skip to content

Aksion në Durrës kundër abuzimeve me çmimin e karburanteve, zbulohet 3 ton gaz pa faturë

Një aksion i zhvilluar të dielën në Durrës nga taskforca e përbashkët e Administratës Tatimore dhe Doganore ka zbuluar një sërë shkeljesh serioze në tregtimin e karburanteve, nga evazioni fiskal te mungesa e dokumentacionit dhe abuzimi me çmimet.

Ndër rastet më flagrante ishte zbulimi i 3 tonëve gaz që qarkullonte pa asnjë dokumentacion të rregullt shoqërues.

Gjatë verifikimeve në terren u evidentuan disa problematika: moslëshim i faturave tatimore, mallra pa dokumentacion të rregullt, mungesë e afishimit të çmimeve, përdorim i kasave jo funksionale dhe subjekte pa certifikata kalibrimi, gjë që vë në dyshim saktësinë e sasisë së karburantit që u shitet konsumatorëve.

Autoritetet sekuestruan dokumentacionin përkatës dhe materialet i referuan për hetime të mëtejshme.

Sipas tyre, kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin, dhe do të ketë zero tolerancë ndaj çdo abuzimi me ligjin dhe me qytetarët.