Me nota ironie dhe ton humori, deputeti Saimir Korreshi tha në Kuvend se një nga problematikat e Lushnjes është furnizimi me energji elektrike.

Madje, u tall edhe me rritjen e çmimit të naftës duke thënë se bujqit janë tejngopur nga tollonat falas dhe tani do të punojnë me parmendë.

  • “Situatën e kemi mirë, jashtëzakonisht mirë. Më mirë nuk ka! E dini ç’do të thoshte një shoku im kur dëgjova këto parafolëset, lërini more dokrrat! Lërini more mendimet e thella apo fjalët e mëdha! Ku rroni o burrë i dheut sikur s’rrojmë bashkë në Lushnje me Antonetën. Si tha, elektriku, kemi bërë zhvillime. Hajdeni more aman na jepni dy fije elektrik nga Lushnja se gjithë fshatrat nga ora 7 pasdite deri në 6 të mëngjesit ikin dritat. Na e zgjasni edhe një çikë ne kabllin se po hamë bukë në errësirë. Rrofsh mi qeveri që na e ngrite… naftën sepse u lodhën të shkretët bujq, i mbushët me naftë, bamp, jepni naftë e s’kishin ku ta harxhonin! Më mirë tani direkt parmendë edhe ohoho, e fjetëm mendjen!”,  tha Korreshi.

Ai tha gjithashtu se Lushnja s’ka as sistem të ri regjistrimi, teksa s’mungoi ironia edhe për ujin e pijshëm.

  • “Pikërisht për të larë atë baltën që hedhim ne të opozitës, nuk lahet me ujë me m*t që jep ujësjellësi. Ose hiqini etiketën dhe thoni jo ujë të pijshëm, për ujë për qenef se ne paguajmë për ujë të pijshëm”, vijoi Korreshi.

Një nga deklaratat e tij u lidh me spitalin e Lushnjes ku sipas tij, mungojnë aparaturat e diagnostikimit gjinekologjik.

  • “Nuk mundet te spitali i Lushnjes ai që është gjinekolog nuk mund të vazhdojë si në vitin ‘70 me të prekme sepse i mungon aparati, nuk bën dot eko, e ka kordonin apo s’e ka. Ju doni të hyni në Uropë! Dilni njëherë andej nga Europa, jo anës Lushnjes more aman!”, tha Korreshi.
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re