Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka dalë në mbështetje të kandidaturës së Erion Braçes për Bashkinë e Tiranës.
Ai thotë se Partia Socialiste nuk mund të gjejë kandidat më të mirë.
Sipas Manjanit, me Braçen nderohet Tirana, por edhe politika, si majtas ashtu edhe djathtas.
Postimi i Manjanit:
“Debati mbi kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës duhet të jetë përtej forumeve të partive.
Vitin e shkuar, përgjatë një emisioni te Erla Mëhilli, kam sugjeruar që Erion Braçe do të ishte një kandidat serioz për Bashkinë e Tiranës.
Ende e mendoj këtë ide si pozitive për qytetin, por edhe për Erionin dhe, pse jo, edhe për vetë PS-në.
Erion Braçe është ende i ri në moshë, por ka një barrë të jashtëzakonshme përvoje politike dhe administrative. Ka një mënyrë origjinale, kritike të të menduarit dhe hyn te njerëzit publikë që nuk e përton fjalën troç.
Mund të mos jesh dakord me të, por si politikan, njeri publik dhe njohës i punëve të shtetit, nuk ka të sharë. Ai është natyra e politikanit detajist që nuk lë kurrë as nënkuptime, as paqartësi. Hazërxhevap i paparë është. Njeri i informuar mirë për çdo problem.
Erion Braçe është karakter i pjekur tashmë dhe mund ta quash maksimalisht fleksibël, por është i pakompromis me të vërtetën.
Ai është politikan që e ndërton mendimin politik mbi kontaktin e drejtpërdrejtë me të njohur e të panjohur. Një punëtor politik i jashtëzakonshëm.
Mund të çedojë ndoshta në imazhin e sotëm politik, por asnjëherë në përmbajtje. Njeh absolutisht çdo problem ekonomik e politik në detaj. Korrekt në ekstrem me ligjin dhe vështirë ta akuzosh si të padrejtë.
Mund ta komentosh për lartësinë e shtatit, por jo për lartësinë e mendimit politik. Ka kaluar shumë e shumë dallgë në PS, ku debati politik ka qenë i egër dhe shumë i egër, po aq sa edhe toleranca dhe bashkëjetesa me çdo kritikë.
Erion Braçe është njohës i thellë i çështjeve të pushtetit vendor. Pavarësisht se ai ka shërbyer si deputet, gjithnjë është marrë në thellësi me çështjet e pushtetit vendor. Kritik dhe propozues zgjidhjesh si ai, askush tjetër.
Shkurt, ajo që kam menduar vitin e kaluar vlen për çdo vit për Erion Braçen, si kandidati absolutisht më i mirë për Bashkinë e kryeqytetit.
Lexova në lajme se ai e ka edhe vetë këtë ambicie dhe më vjen veç mirë.
Është tamam në kohë për të drejtuar një bashki si kjo e Tiranës, për të gjitha ato cilësi që i rendita më lart.
Me Erion Braçen nderohet Tirana, por edhe politika e majtë dhe e djathtë, për faktin se është ndër të paktët produkte politike me substancë në qarkullim.
PS mund të pretendojë edhe emra të tjerë për kandidim, por nuk ka për të gjetur më të mirë se Braçe, në të gjitha kuptimet…
Unë vetë do ta braktisja bojkotin zgjedhor për të votuar Erion Braçen në Bashkinë e Tiranës.”
