
Epoka 8-vjeçare e Gabriele Gravinës në Federatën Italiane të Futbollit është mbyllur.
Presidenti dha dorëheqjen pas presionit të fortë publik dhe dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, raportojnë mediat italiane.
72-vjeçari dha dorëheqjen pas një mbledhje në Asamblenë e Jashtëzakonshme në Romë, ndërsa ka caktuar zgjedhjet e reja më 22 qershor në kryeqytetin italian.
Gjatë drejtimit të tij, Gravina kishte mbështetje të gjerë brenda institucioneve të futbollit italian, duke u rizgjedhur në vitet 2021 dhe 2025.
Megjithatë, rezultatet e dobëta të ekipit kombëtar kanë lënë një hije mbi mandatin e tij.
Italia dështoi dy herë të kualifikohej për Kupën e Botës dhe ndërroi tre trajnerë nën drejtimin e Gravinës. I vetmi sukses madhor mbetet triumfi në Euro 2020, një arritje që sot shihet nga shumë si një përjashtim dhe jo si rezultat i një zhvillimi të qëndrueshëm të sistemit të futbollit italian.
Dorëheqja e tij shënon një moment të rëndësishëm për futbollin italian, i cili përballet me nevojën për ndryshime të thella dhe një strategji të re për rikthimin në nivelet më të larta ndërkombëtare.
LEXO EDHE: Si u katandisëm kështu? Italia ka prekur fundin



