Barcelona është mposhtur 0-2 nga Atletico e Madridi në çerekfinalen e parë të Champions League.

 

Takimi i luajtur në “Camp Nou” nisi me emocione të forta, me të dyja skuadrat që kërcënuan portat e njëra-tjetrës.

 

Katalanasit u dukën sikur e morën lojën në dorë, por Cubarsi katranosi çdo gjë pas ndërhyrjes së gabuar në minutën e 44’, që e bëri të dilte me karton të kuq.

 

Vetëm një minutë më pas, Alvarez realizoi një supergol nga goditja e dënimit për të kaluar në avantazh të besuarit e Simeones.

Skuadra e Flick u mundua të reagonte në pjesën e dytë, duke krijuar disa raste me Rashford dhe Yamal, por pa pasur finalizimin e duhur.

 

Çdo gjë u bë më keq për blaugranat në minutën e 70’, kur Sorloth, i ndodhur në kohën dhe vendin e duhur, dërgoi topin në rrjetë duke dyfishuar shifrat.

Me këtë fitore, Atletico e Madrid hedh një hap të sigurt drejt gjysmëfinales, ndërsa Barcelona do të kërkojë përmbysjen e madhe pas një jave në “Metropolitano”.

 

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Paris Saint-Germain ka marrë një fitore të rëndësishme përballë Liverpool-it, duke triumfuar 2-0.

 

Sfida e luajtur në “Parc des Princes” nisi në mënyrën më të mirë pr kampionët në fuqi të Europës, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 11’ me anë të Doue.

 

“Reds”-at u munduan të reagonin por më kot, me parizienët që morën nën kontroll sfidën.

 

Gjithsesi, goli i dytë dhe i qetësisë erdhi në minutën e 65’ nga Kvaratskhelia, me PSG që hedh kështu një hap të sigurt drejt gjysmëfinales dhe misionit për të mbrojtur titullin.

 

Liverpool-it do t’i duhet një nga mrekullitë e veta pas një jave në “Anfield”, në mënyrë për të vazhduar ëndrrën Champions.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re