Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, i ftuar në  nje emision televiziv, ka deklaruar se problematika kryesore në çmimin e naftës në Shqipëri lidhet me strukturën e taksave që aplikon qeveria.

Sipas Bozdos, qeveria nuk ka ndërmend të ndërhyjë në taksat mbi karburantet, të cilat ai i konsideron si shkaktare të çmimeve të larta në vend krahasuar me vendet e tjera të Europës.

Bozdo kritikoi edhe ‘Bordin e Transparencës’, duke thënë se ai nuk ndikon në uljen e çmimit, por vetëm në kontrollin e abuzimeve të mundshme. Sipas tij, Shqipëria po vijon të mbajë një nivel të lartë të kostos së karburantit, çka ndikon negativisht në fermerë, industri dhe konsum familjar.

Deputeti i PD-së prezantoi gjithashtu tre propozime të opozitës për uljen e çmimit të naftës, që përfshijnë heqjen e taksës së qarkullimit, rishikimin e taksës së karbonit dhe krijimin e një mekanizmi për kompensimin e TVSH-së së rritur nga çmimet.

‘Problematika më e madhe është që qeveria nuk do të preki strukturën e taksave të vendosura mbi çmimin e naftës. Janë këto taksa që e bëjnë çmimin më të shtrenjtë se në të gjitha vendet e tjera të Evropës dhe të 10-ën apo të 12-ën më të shtrenjtën në botë, edhe në kushtet e krizës.

Ndërsa gjithë vendet e tjera të Bashkimit Evropian kanë marrë masa duke ulur taksat, ulur akcizën, duke përgjysmuar TVSH-në, siç është rasti i Maqedonisë, qeveria e Shqipërisë nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë dhe për këtë arsye ne vazhdojmë të paguajmë para shumë, shumë më tepër nga ç’paguajnë edhe fqinjët tanë, rajoni, por në mënyrë proporcionale, pothuajse aq sa ç’paguan një qytetar i Bashkimit Evropian, që ka shtatë apo tetë herë më shumë të ardhura se një qytetar shqiptar.

Çështja nuk zgjidhet me bordin e transparencës. Ai bord, siç ka thënë dhe vetë kryeministri, nuk ka të bëjë me çmimin, por sipas kryeministrit, ai siguron që mos abuzohet me çmimin, por jo sa i lartë është çmimi. Abuzimi apo jo me çmimin nuk është çështje e kësaj dite, e kësaj jave.

Ne na duhet që shqiptarët, ekonomia të furnizohen, fermerët, industria të furnizohen me një naftë, e cila nuk i tejkalon ëh pragjet e caktuara për të mos i lënë shqiptarët as të punojnë tokën, as prodhimin industrial të stopojë, as dhe konsumin familjar të mos mundësohet.

Pra, nuk duam gjë tjetër veçse të bëjmë atë që të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe të Bashkimit Evropian janë duke bërë. Në këto kushte, Shqipëria s’po bën asgjë. Përkundrazi, ka një kokëfortësi nga kryeministri për të mos ta prekur këtë strukturë, gjë që u duk edhe në refuzimin që i bën projektligjeve të Partisë Demokratike për të diskutuar pikërisht për këtë çështje.

Janë tre propozime të Partisë Demokratike, të cilat sigurojnë që nafta të ulet në kufijtë e asaj që ofron sot Kosova ose Maqedonia për qytetarët e saj. E para është eliminimi i taksës së qarkullimit. 270 lekë të vjetra për litër. Bashkë me efektin e TVSH-së shkojnë 32, 33 lekë të reja për litër. E para.

E dyta është taksa e karbonit dhe e treta është mekanizmi që ne e kemi kërkuar po nëpërmjet projektligjit, në mënyrë që e gjithë teprica e TVSH-së, dhe do të duhet ta shpjegoj këtë se është shumë e rëndësishme,

Çfarë siguron plus qeveria shqiptare vetëm për shkak të rritjes së çmimit, të amortizojë akcizën. Dhe t’ju marr një shembull për ta konkretizuar. Nëse supozojmë nafta ka qenë përpara krizës 1700 lekë të vjetra për litër dhe ne sot paguajmë 2200 lekë të vjetra për litër. Janë 500 lekë të vjetra për litër, të cilat së bashku me efektin e TVSH-së, po vetëm 20% i TVSH-së është më, është 100 lek.

Pra, në 500 lek që rritet çmimi, 100 lek i merr shteti shqiptar, qeveria shqiptare, në mënyrë të pamerituar, sepse vjen vetëm për shkak të rritjes së çmimit prej krizës, jo për ndonjë aftësi të jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare. Këto 100 lek qeveria i fut në xhep.

Ndërsa flasim, qytetarët mbajnë koston, ndërsa qeveria pasurohet. Ajo që ne kemi kërkuar është që ky minimalisht ky 100 lekësh, bashkë me taksat e tjera, të kthehet mbrapsht, por ky 100 lekësh të kthehet mbrapsht duke u ulur në mënyrë të barabartë në përpjesëtim të drejtë me akcizën.

Nëse akciza sot është 400 lek, atëherë akciza bëhet nga 400 në 300 dhe në njëfarë mënyre amortizohet dhe çmimi i naftës. Në efektin e kombinuar të të tre taksave, ëh, nëse do të ishte pranuar propozimi i Partisë Demokratike, sot nga 2200 lek, në qoftë se supozojmë se është 2200 lek se nuk e di sa është çmimi sot, do të ishte 1700 lek për litër, që do të ishte brenda normës mesatare të rajonit. Besoj se isha i qartë dhe shpjegues me këtë gjë’, tha Eno Bozdo .

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re