Skip to content

VIDEO/ Aksioni ndaj “Call Center”-ave! Në pranga 7 persona, u sekuestruan rreth 900 mijë euro dhe qindra pajisje

Policia e Tiranë ka reaguar me njoftim zyrtar në lidhje me operacionin e nisur mbrëmjen e djeshme në Tiranë kundër disa Call Center-ave të dyshuar për mashtrim kompjuterik.

Nga ky operacion i cili ka zgjatur rreth 2 vite sipas njoftimit të policisë, janë vendosur 7 masa arrest me burg, dy masa të tjera, ndalim jashtë vendit dhe detyrim paraqitje.

U sekuestruan 890 mijë euro, pajisje elektronike, 443 kompjuterë, 238 telefona celularë dhe 6 laptopë.

Ky operacion policor u drejtua nga Drejtoresha e Krimit Kibernetik Ervina Gjana dhe Prokurorja Rovena Zoto.

Video Player

Njoftimi i policisë:

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Ghost Call”, në kuadër të goditjes së veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Ky operacion është rezultat i një hetimi të thelluar nga strukturat e hetimit të krimit kibernetik, i cili ka zgjatur rreth 2 vite. Hetimi nisi me iniciativën e strukturave të krimit kibernetik, pas një kërkese për informacion të ardhur nga autoritetet austriake, duke çuar në zbulimin dhe dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Gjykata e Tiranës vendosi lejimin e kontrollit të ambienteve ku ushtronin aktivitetin subjektet, si dhe kontrollin e banesave të 9 shtetasve të dyshuar.

Gjatë ndërhyrjes në ambientet e këtyre subjekteve, u konstatuan operatorë të ndryshëm duke ushtruar aktivitet të paligjshëm, çka mundësoi dokumentimin e menjëhershëm të veprimtarisë kriminale.

Në vijim të veprimeve procedurale, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, u caktuan masat e sigurimit si më poshtë:

  • “Arrest me burg” për 7 shtetas, konkretisht për shtetasit E.D., i datëlindjes 24.10.1978; M.H., i datëlindjes 14.07.2002; T.A., i datëlindjes 19.06.2003; L.T., i datëlindjes 28.08.1993; dhe Xh.M., i datëlindjes 05.12.1997, për të cilët u ekzekutuan masat e arrestit. Ndërsa për shtetasit Xh.H., i datëlindjes 10.06.1995 dhe M.L., i datëlindjes 04.12.1997, u bë shpallja në kërkim.
  • “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” për 2 shtetas, ku masa u ekzekutua për shtetasen A.V., datëlindja 29.12.1993.

Po ashtu, gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë, në kushtet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm, shtetasit:

  • K.B., i datëlindjes 06.04.1988
  • E.H., i datëlindjes 17.11.2000
  • B.B., i datëlindjes 02.10.2001
  • K.D., i datëlindjes 15.12.2001
  • E.T., i datëlindjes 04.08.1994

Si dhe u shpall në kërkim edhe shtetasi D.J., i datëlindjes 02.08.2002.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas u identifikuan si individë me peshë në strukturën e aktivitetit kriminal, në rolin e drejtuesve të ekipeve.

Ekzekutimi i vendimeve u realizua nga oficerët e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe në koordinim të plotë me hetues nga autoritetet austriake dhe ekspertë të Europolit, të cilët ishin pjesëmarrës gjatë operacionit.

Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan vlera të konsiderueshme monetare, në total 891,735 euro, si dhe një numër i madh pajisjesh elektronike, konkretisht:

  • 443 kompjuterë
  • 238 telefona celularë
  • 6 laptopë
  • si dhe pajisje të tjera si HDD, DVR etj., që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal.

Materialet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në luftën kundër krimit kibernetik.