Në seancën e kësaj të enjte në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti i PD, Saimir Korreshi u përplas me ministrin e Energjisë, Enea Karakaçi.

Deputeti demokrat kritikoi qeverinë për mungesën e institucioneve në Lushnje, duke thënë se e gjithë vëmendja ka kaluar në Fier dhe Berat.

“E karikoj makinën te priza e telefonit. Ne të gjithë varemi nga Fieri, AKU, mjedisi… Vetëm në Lushnje nuk ka asgjë. Ti i deleguar në Lushnje, ai tjetri Nufi. Si nuk sollët një institucion në Lushnje. Gjykata e prokurori jo e jo. Për atë do t’i lutemi Tonit. Ua çfarë turpi.

Ke qenë ndonjëherë te zyrat e OSHEE në Lushnje? Aman o burrë i dheut. Nuk meritojnë këta lushnjarët një bojë e një llaç. I patë ata zjarrfikësit,. Njëherë që ra zjarr u dogjëm. Zjarrfikësit shkojnë mbushin ujë në Fier. Të digjen dy mullarë, një nuk shpëton.

S’ka Lushnja asgjë. Të rregulloni zyrat e OSHEE. Jo për faj të atyre që punojnë aty, po për fajin tuaj që nuk sillni një 2 mijë lekësh në Lushnje. Shkojmë nesër bashkë dhe i vizitojmë”, tha Korreshi.

Nga ana tjetër, ministri iu përgjigj duke thënë se investimet energjike në Lushnje po bëhen dhe në fshatrat rreth qytetit.

“Është e vërtet që kam një ndjeshmëri pozitive ndaj Lushnje. Si e tillë, patjetër do ju sugjeroja që të dilnit dhe të shihnit që në Ballagat-Hysgjokaj janë duke u bërë 30 kabina ABC, në Kolonjë 13 kabina ABC, në Dushk 13 kabina ABC, në Golom 3 kabina ABC. Të sugjeroj t’i shikosh edhe për të qenë më afër qytetarëve aty. Të dëgjova që makinën e karikon te priza e celularit. Të sugjeroj që të bësh një aplikim që ta bësh kërkimin te mjeti elektrik. Ka edhe çmim tjetër”, tha Karakaçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re