Kryeministri Edi Rama ka ndarë një foto nga takimi i tij me homologun grek Kyriakos Mitsotakis gjatë vizitës në Athinë, ku po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Delphit.

Në foto, dy kryeministrat shfaqen duke shtrënguar duart, ndërsa Rama thekson në mesazhin e tij se mes tyre ekziston një miqësi e veçantë e ndërtuar mbi ambicien e përbashkët për modernizimin e vendeve dhe ngritjen e marrëdhënieve shqiptaro-greke në një nivel të ri.

Ai shton se bashkëpunimi mes dy qeverive ka kaluar si në momente të mira, ashtu edhe në sfida, por gjithmonë është karakterizuar nga komunikim i drejtpërdrejtë dhe respekt reciprok.

“Po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik,” shkruan Rama.

Vizita e tij në Athinë vjen në kuadër të forcimit të dialogut politik dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe avancimit të marrëdhënieve në procesin e integrimit europian të vendit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re