Tre vite pas ngjarjeve në Banjska, në veri të Kosovës, ku banda serbe tentuan të provokonin një luftë me synimin e një invazioni serb në Kosovë, ka ardhur dënimi i tre të akuzuarve. Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar këtë të premte me burgim të përjetshëm, Bllagoje Spasojeviç dhe Vladimir Toliç. Dushan Maksimoviç u dënua me 30 vite.
Ata janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Milan Radoiçiçin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit dyshohet se, përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, tentuan ta shkëpusnin pjesën veriore të Kosovës për t’ia bashkuar Serbisë. Kjo çoi në vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e policit tjetër Alban Rashiti. Ndërsa u lënduan policët Çlirim Sahiti, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Për këto veprime, të njëjtit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
I akuzuari si udhëheqës i të dyshuarve për sulmin në Banjskë, Radoiçiç, dyshohet se nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura përmes një grupi të strukturuar, për t’i përdorur për armatim, logjistikë dhe financim të pjesëtarëve, me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Për këto veprime të dyshuara, ai akuzohet për lehtësim dhe financim të terrorizmit.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, dyshohet se, me ndihmën e njërit nga të akuzuarit, Radulle Steviç, si dhe bizneseve të tij, Radoiçiç ka konvertuar të ardhura nga aktiviteti kriminal në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, duke i transferuar edhe te persona të tretë, për të fshehur origjinën e tyre. Për këtë pjesë, ai akuzohet për pastrim parash.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, përshëndeti vendimin e gjykatës, duke thënë se dënimet e dhëna konfirmojnë pikëpamjen se të gjithë ata që janë përfshirë në sulmin e vitit 2023 duhet të marrin sanksione maksimale.
“Ky standard duhet të zbatohet për secilin individ si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 individësh të identifikuar, pa përjashtim“, tha Sveçla.
Ai theksoi se sulmi në Banjska ishte një operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia dhe bëri thirrje që ky shtet të mbahet përgjegjës për, siç pretendon ai, rolin e tij politik, financiar dhe logjistik në ngjarjet në veri të Kosovës. /tesheshi.com/



