Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, duke ia lënë sërish Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) vendimmarrjen për fatin e mandatit të tij.
Çështja lidhet me zgjedhjet e 14 majit, kur Hajdari deklaroi në formularin e vetëdeklarimit se nuk kishte qenë i dënuar më parë.
Më vonë, autoritetet greke konfirmuan përmes një letër-porosie një vendim të vitit 1999, ku ai ishte gjetur fajtor për hyrje të paligjshme në territorin grek dhe ishte dënuar me masë riedukuese qortimi, në një kohë kur ishte 17 vjeç.
Gjykata e Lartë argumentoi se çështja nuk mund të shqyrtohet në themel pa një vendimmarrje përfundimtare nga KQZ në lidhje me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.
KQZ më herët ka lejuar kandidimin e Hajdarit, duke vlerësuar se ai nuk preket nga ligji i dekriminalizimit, ndërsa Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka kërkuar rishqyrtim të çështjes dhe një vendim përfundimtar nga institucioni zgjedhor.
