Një denoncim i fortë dhe thellësisht njerëzor vjen nga një emigrant shqiptar në Athinë, Greqi, i cili prej tre vitesh pret një përgjigje për lejen e qëndrimit, pa asnjë informacion, pa asnjë sqarim, pa asnjë zgjidhje.
“Kam 3 vite që pres… dhe askush nuk më thotë asgjë. As ku është problemi, as pse vonohet. Jam i bllokuar”, shprehet ai me zhgënjim.
Prej 30 vitesh jeton në Greqi, me dy fëmijë të lindur dhe të shkolluar atje, madje njëri prej tyre student ekselent në Gjermani. Sot ai ndodhet në një situatë absurde:
Pa dokument të rregullt, i detyruar të jetojë me një “βεβαίωση” (vërtetim i përkohshëm), që shpesh nuk njihet askund.
“Nuk mund të shkoj te djali im në Gjermani. Kjo letër nuk njihet. Duhet të shkoj në Shqipëri e pastaj të marr avion me vula Shengen… është absurde!”
“Na trajtojnë si të paligjshëm.”
Sikur të mos mjaftonte kjo, situata bëhet edhe më e rëndë në përditshmëri:
“Në banka më thonë: nuk ke leje qëndrimi. Duhet të debatoj çdo herë. Kur u them që jam 30 vite këtu, vetëm atëherë fillojnë të lëvizin… pasi kërcënoj me media.”
“Kudo që shkoj më pyesin: ‘Çfarë është kjo letër?’ Tallje, mosbesim, vonesa… kjo është jeta jonë sot.”
“Askush nuk flet për ne”, shprehet ai duke ngritur një shqetësim më të madh, që prek mijëra emigrantë të vjetër, dhe vijon:
“Të gjithë flasin për refugjatët e rinj. Po për ne që jemi 30 vite këtu? Askush! As për shtetësi, as për zgjidhje.”
Dhe e përfundon denoncimin e tij me një thirrje që është më shumë se personale:
“Nuk jemi më refugjatë! Kemi ndërtuar jetën këtu. Fëmijët tanë janë rritur këtu. Dhe sot… jemi përsëri me letra në dorë, si 30 vite më parë. Kjo është turp!”
Është padyshim një realitet që kërkon përgjigje, pasi rasti i tij nuk është i vetmi. Është zëri i një brezi të tërë emigrantësh që ndihen të harruar nga sistemi.
Një pyetje mbetet pezull:
Sa kohë mund të jetosh në një vend… pa u ndjerë kurrë plotësisht i pranuar?
