Bashkimi Europian ka miratuar një paketë të re ndihme për fermerët, peshkatarët dhe sektorin e transportit rrugor, të prekur nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe plehrave kimike pas tensioneve dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.

Sipas planit të Komisionit Europian, kompanitë në këta sektorë do të mund të përfitojnë deri në 50 mijë euro ndihmë direkte, ndërsa BE do të mbulojë deri në 70% të rritjes së kostove të energjisë dhe inputeve bujqësore. Masat janë cilësuar si emergjente dhe do të jenë në fuqi deri në fund të vitit.

Zyrtarët europianë thonë se procedurat janë thjeshtuar ndjeshëm, duke shmangur në disa raste edhe detyrimin për dokumentim të plotë të shpenzimeve të karburantit, për të përshpejtuar shpërndarjen e ndihmave.

Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Teresa Ribera, deklaroi se paketa synon të shmangë falimentimet në sektorët më të goditur dhe e cilësoi situatën si “çështje mbijetese për shumë biznese”.

Kriza e çmimeve ka nisur pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili ka ndikuar në tregjet globale të energjisë, duke rritur ndjeshëm kostot për naftën, gazin dhe plehrat kimike.

Paketa përfshin gjithashtu mbështetje për industri të mëdha energji-konsumuese si çeliku, kimikatet dhe transporti hekurudhor, ndërsa linjat ajrore dhe aeroportet nuk janë përfshirë në këtë fazë. BE nuk përjashton masa të tjera shtesë në të ardhmen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re