Seanca e radhës në GJKKO për dosjen “Partizani” është shoqëruar me debate dhe replika mes palëve, gjatë dëshmisë së kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.

Balla, i thirrur në cilësinë e kallëzuesit dhe dëshmitarit, u pyet nga avokatët mbrojtës të Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës mbi mënyrën se si ka siguruar provat dhe bazën e kallëzimit të tij.

Avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, kërkoi sqarime mbi kallëzimin, duke pyetur nëse ai ishte bërë në cilësinë e deputetit apo qytetarit dhe nëse ishte shoqëruar me prova.

Balla u përgjigj se të gjitha materialet që kishte në dispozicion i kishte bashkëngjitur kallëzimit. Ai theksoi se informacionet i kishte siguruar nga qytetarët, media dhe burime të tjera, përfshirë edhe të drejtën ligjore si deputet për të kërkuar informacion nga institucionet.

I pyetur nëse kishte marrë përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes për dokumentet e dorëzuara, Balla tha se nuk i kujtohej dhe se duhej të verifikonte në kallëzim.

Në lidhje me mënyrën e dorëzimit të kallëzimit, ai deklaroi fillimisht se e kishte dorëzuar dorazi në prokurori, ndërsa më pas shtoi se mund të jetë dorëzuar nga një punonjës i Kuvendit.

“Për herë të 17 po them, bazuar në dyshime kam marrë vendimin të bëj këtë kallëzim,” u shpreh Balla.

Gjatë përgjigjeve, trupi gjykues i tërhoqi vëmendjen Ballës për të respektuar rolin e tij në proces.

“Mbani vendin tuaj, jeni thjesht dëshmitar. Nuk lejohen komentet,” u shpreh gjykata.

Në vijim, avokati Skënderi e pyeti Ballën mbi ekzistencën e dokumenteve për marrëveshje mes shtetit shqiptar dhe atij italian, si dhe për çështje të shpronësimeve.

Balla deklaroi se nuk i kujtohej nëse kishte parë dokumente të tilla, ndërsa për një shkresë të viteve 1993-1994 tha se ishte referuar nga burime publike.

Ai shtoi se, sipas njohurive të tij si qytetar, shpronësimi nënkupton marrjen e pronës për qëllime shtetërore.

Përballja me avokatin e Berishës

Avokatja e Sali Berisha, Klodiana Gjyzari, e pyeti Ballën mbi gjendjen e objekteve në momentin e hetimit.

Balla u përgjigj se ato ishin në gjendje të mirë dhe të rikonstruktuara, por shtoi se sipas tij ishin privatizuar me një vlerë “qesharake”.

I pyetur mbi vlerën reale, ai tha se nuk ishte ekspert, por vlerësoi se duhet të ishte “ndoshta 10 herë më e lartë”.

Nga ana tjetër, avokati Sokol Mëngjesi kërkoi të dinte se kush ishte favorizuar nga procesi i privatizimit.

Balla deklaroi se sipas tij përfitues kanë qenë Jamarbër Malltezi dhe subjekte të lidhura me shoqëritë përkatëse, duke shtuar se dyshimet lidhen edhe me ndikimin e tij si dhëndër i ish-kryeministrit.

“Unë jam këtu si kallëzues. Nëse do të kisha të gjitha faktet, nuk do të kishte nevojë për prokurorinë,” tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re