Një 30-vjeçar është gjetur i pajetë në lumin Osum në Berat, disa ditë pasi ishte raportuar i zhdukur nga familjarët.
Viktima është identifikuar si David Shehaj, banues në lagjen “Çlirim”. Sipas të dhënave paraprake, ai ishte larguar nga banesa më 30 prill, ndërsa denoncimi për zhdukjen e tij ishte bërë nga babai në polici.
Pas dëshmive të disa banorëve të zonës, të cilët kishin deklaruar se kishin parë të riun duke u hedhur në lumë, policia dhe forcat e emergjencës nisën kërkimet përgjatë rrjedhës së Osumit.
Në operacion morën pjesë efektivë të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, si edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të repartit ushtarak në Poshnje.
Trupi i pajetë i 30-vjeçarit u gjet mesditën e sotme në zonën e fshatit Remanicë dhe më pas u transportua në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit për autopsinë mjeko-ligjore.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se i riu rezultonte përdorues i lëndëve narkotike dhe kishte precedentë penalë për vjedhje. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes
