Detaje të reja janë mësuar në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Sarandë ku humbi jetën 66-vjeçari Rexhep Ismaili.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se autorët lëviznin me dy automjete të dyja tip Audi, por janë larguar me vetëm një makinë, duke “ braktisur” automjetin tjetër përballë biznesit të viktimës.

Shkak për këtë mund të jetë bërë edhe shkëmbimi zjarrit që ka ndodhur në vendngjarje.

Autori i dyshuar i vrasjes Lulzim Tabaku bashkë me persona të tjerë shkoi në lokalin në pronësi të vëllezërve Ismaili për t’u sqaruar për një konflikt të mëparshëm. Fillimisht autori ka debatuar me 66-vjeçarin dhe më pas janë përleshur fizikisht. Dyshohet se Rexhep Ismaili ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar drejt grupit të personave me të cilët u konfliktua, por kundërpërgjigjja ishte e menjëhershme. Lulzim Tabaku qëlloi me një plumb në kokë Rexhep Ismailin, i cili ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje.

Policia e Sarandës bën të ditur se i plagosur mbeti edhe një person tjetër që shoqëronte Lulzim Tabakun autorin e dyshuar të vrasjes, por deri tani askush me plagë arme nuk është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re