Policia ka shpallur në kërkim 50-vjeçarin Tori Ruci, i njohur edhe si Viktor Ruci, si një nga personat e dyshuar për vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili mbrëmjen e djeshme në Sarandë.
Sipas burimeve hetimore, Ruci është me origjinë nga Tepelena dhe prej vitesh banon në fshatin Gjashtë të Sarandës. Ai rezulton me precedentë penalë dhe së fundmi ishte nën hetim për trafik droge.
Hetimet paraprake tregojnë se konflikti dyshohet të ketë nisur për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësie për një lokal në zonën bregdetare, ku më herët kishte pasur përplasje mes palëve.
Grupi i përfshirë kishte shkuar në një karburant, pasi dyshohej se Ruci ndodhej aty.
Situata është tensionuar kur Rexhep Ismaili ka ndërhyrë për të shmangur përplasjen, duke deklaruar se personi që kërkonin nuk ndodhej aty, por ishte në banesë.
Pas debatit verbal, konflikti ka degraduar në dhunë fizike dhe më pas është përdorur arma e zjarrit, ku si pasojë 66-vjeçari humbi jetën.
