Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar nga Vlora për gjendjen e amortizuar të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë.

Duke publikuar pamje nga godina historike, Zhupa denoncoi krisjet në mure dhe rrezikun e degradimit të mëtejshëm deri në shembje të një prej simboleve më të rëndësishme të identitetit kombëtar.

Ajo i bëri thirrje Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës që të nisë menjëherë restaurimin e muzeut, në mënyrë që gjatë sezonit turistik Shqipëria të prezantohet me dinjitet para qytetarëve dhe vizitorëve të huaj.

Reagimi i plotë:
Ndodhem në qytetin e Vlorës, mbrapa meje është Muzeu Kombëtar i Pavarësisë. Një simbol kombëtar identitetit shqiptar, historisë shqiptare.

Siç mund ta shikoni, fatkeqësisht ky muze ka pësuar krisje kudo nëpër muret e tij, ballkoni është totalisht i pa aksesueshëm dhe i pa vizitueshëm nga banorët dhe rrezikon shëmbjen.

Kjo nuk është fytyra e shtetit shqiptar, ky nuk është dinjiteti që duhet të kenë shqiptarët të prezantuar në raport me veten e tyre por edhe me turistët që vijnë.

Ndaj sot nga Vlora i bëj thirrje Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës që menjëherë të nisë restaurimin e kësaj godine historike, të vërë paratë e duhura, të vërë njerëzit e duhur që të kenë mundësi që gjatë sezonit turistik të kemi dinjitet në simbolin më të rëndësishëm të identitetit kombëtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re