Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafikim të heroinës në Shqipëri dhe Danimarkë, në kuadër të një operacioni të përbashkët me autoritetet daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Sipas njoftimit zyrtar, SPAK ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme caktimin e masave të sigurimit ndaj dy shtetasve M. L., (alias G.) dhe E. L., të dyshuar për përfshirje në aktivitetin kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.

Gjykata e Posaçme ka vendosur masën “arrest në burg” për një nga të dyshuarit, ndërsa për tjetrin janë caktuar masat “detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal ka vepruar në formën e një rrjeti të strukturuar, duke trafikuar heroinë drejt tregut danez përmes Suedisë, në disa episode të dokumentuara gjatë periudhës tetor 2023 – janar 2024.

Sipas autoriteteve hetimore, lënda narkotike përgatitej për shitje duke u përzier me substanca të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim rritjen e fitimeve nga trafiku.

Operacioni në Danimarkë, i koduar “Bacchus”, ka nisur në gusht të vitit 2023 dhe ka përfshirë hetime të përbashkëta mes prokurorive të dy vendeve, duke çuar deri tani në identifikimin dhe procedimin e disa personave, përfshirë shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Në Shqipëri, deri tani janë identifikuar dy persona të përfshirë në aktivitetin kriminal, ndërsa në Danimarkë janë proceduar tre të tjerë.

Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe për dokumentimin e plotë të rrjetit kriminal ndërkombëtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re