Anëtari i PD-së, Ilir Alimehmeti ka folur sot për zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike. Në një dalje televizive, Alimehmeti u shpreh gara do të kishte qenë më interesante nëse do të ishte dhe një kandidat tjetër që garonte për këtë post.
Kjo sepse sipas tij kur është vetëm një kandidat, në këtë rast vetëm kreu aktual Sali Berisha, është më shumë rinkofirmim sesa zgjedhje.
“Kur është vetëm një kandidat, është rikonfirmim. Se s’ka si të jetë ndryshe. Një garë do të kishte qenë më interesante. Garat për kryetar të opozitës, nuk i nënshtrohen elektoratit, por anëtarësisë së vetë. Është anëtarësia ajo që vendos, një anëtar një votë, për kryetarin. Nuk është sistem perfekt, ka mangësitë e veta. Por kështu është vendosur nga statuti. Më pas elektorati ka të drejtën e vetë brenda një partie që të shohë totalin dhe të marrë vendimet e veta. Ka dhe mendim ndryshe në anëtarësi. Mund të kishte dhe votë në një masë ndryshe. Por se kam pasur dyshim që nuk do të konfirmohej Berisha në krye të PD. Po mendoj se ka dhe figura të tjera. Fitojmë apo jo, kjo është çështje tjetër. Kush është në nivele kryesuese, kryetar degësh, siç patëm zotin Elezi. Për një platformë fituese do të duhej një punë më e gjatë. Nuk po shoh që të jetë dikush që të ofrojë një propozim serioz në këtë aspekt total”, u shpreh Alimehmeti.
Ndër të tjera Alimehmeti u shpreh se nuk ishte në ambiciet e tij që ai vetë të garonte për këtë detyrë. Ai theksoi se objektivi i tij prej vitesh është bashkia e Tiranës.
“Nuk e kam këtë ambicie. Kam tjetër objektiv, e kam treguar qartë me vite. Objektivi im ka qenë i drejtuar drejt Tiranës. Ambicia e kryetarit të PD dhe nesër kryeministër, është tjetër lloj çështje, gare, territorialisht më e gjerë. Mendoj se ka njerëz më të avancuar”, tha ai.
