Bujqësia vijon të humbasë peshë në ekonominë shqiptare, ndërsa goditja e fundit duket se i është dhënë nga përmbytjet e këtij fillim viti. Shifrat e INSTAT tregojnë se nga janari deri në prill janë eksportuar 5 mijë tonë më pak zarzavate apo fruta çka tregon ulje të prodhimit.

Krahasuar me vitin 2025 eksportet bujqësore si në vlerë ashtu edhe në sasi kanë pësuar rënie.

Prodhimi bujqësor ra në katërmujorin e parë të këtij viti, duke u reflektuar menjëherë edhe tek tregtia jashtë vendit.

Eksportet e zarzavateve dhe frutave kanë shënuar rënie me mbi 5 mijë tonë, gjatë periudhës janar-prill 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në këtë katërmujor u shitën në total 56 mijë tonë zarzavate nga 60 mijë tonë në vitin e kaluar, ndërsa e përkthyer në vlerë këtë vit prodhimet bujqësore të fermerëve kushtuan 51 milionë euro, nga 52 milionë euro në janar-prill 2025.

EKSPORTET E ZARZAVATEVE

                                            Në sasi               Në vlerë

Janar-Prill 2025               60,672 tonë         52 mln euro

Janar-Prill 2026               56,849 tonë         51 mln euro

Shkak kryesor në këtë rënie të eksporteve janë edhe përmbytjet e dimrit. Mijëra hektarë sera në Fier, Kurbin, Berat, Lezhë, Shkodër etj, u përmbytën në dy muajit e parë të këtij viti, duke bërë që të mbjellat e fermerëve të shkatërroheshin.

Pasojat janë të dukshme, afro 4 mijë tonë zarzavate (spinaq, sallata, karota, lakra, lule-lakër, qepë, brokoli apo edhe qepë, patate e domate që janë të serave) më pak të eksportuara, ndërsa fermerët deri më tani nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim edhe pse brenda pak muajsh u përmbytën 2 herë masivisht, duke iu dëmtuar jo vetëm të mbjellat por edhe strukturat e serave.

E po kështu edhe tek ato pak fruta që kultivohen në këtë stinë në Shqipëri. 1463 tonë fruta më pak janë eksportuar këtë katërmujor në raport me vjet, pasi prodhimi i luleshtrydheve ra po për shkak të përmbytjeve që dëmtuan serat.

Në total në këtë periudhë të parë të vitit u shitën jashtë vendit 5,122 tonë fruta nga 6,585 tonë vjet. Kurse në vlerë eksportet e frutave ishin 68 milionë euro me rënie prej 1.6 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të 2025-ës.

EKSPORTET E FRUTAVE

                                           Në sasi                    Në vlerë

Janar-Prill 2025               6,585 tonë               8.4 mln euro

Janar-Prill 2026               5,122 tonë               6.8 mln euro

Bujqësia shqiptare prej vitesh është në rënie dhe me kontribut negativ në rritjen ekonomike, dhe për këtë faktorët janë të shumtë, nga financimi i pamjaftueshëm, skema e TVSH-së që favorizon importin, emigrimi i popullsisë nga zonat bujqësore e deri tek puna e fokusuar në makineri të vjetra.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re