Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka deklaruar se eurodeputetë dhe zyrtarë të lartë europianë kanë shprehur shqetësim për situatën në Shqipëri, veçanërisht sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe pavarësisë së drejtësisë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për programin e drekës në News24 nga Parlamenti Europian në Strasburg, Kapri tha se gjatë takimeve të zhvilluara në ditët e fundit, një nga çështjet që ka ngjallur reagim tek zyrtarët europianë ka qenë votimi në Kuvend kundër heqjes së imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas tij, përfaqësuesit europianë e konsiderojnë të rëndësishëm forcimin e rolit të SPAK në luftën kundër korrupsionit, si edhe garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

“Në takimet që kam zhvilluar kanë shprehur shqetësim për luftën ndaj korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Për shumë nga ata eurodeputetë dhe zyrtarë që kam folur ka qenë e papranueshme votimi kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut në Parlament”, u shpreh Kapri.

Ai deklaroi më tej se “beteja politike” e kryeministrit Edi Rama për të mbrojtur Ballukun në Kuvend po ndikon negativisht në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Një gjë mund ta themi me bindje, se beteja që Rama bëri për të mbrojtur Ballukun në Parlament ka cenuar dhe po vonon integrimin e Shqipërisë në BE”, tha ai.

Kapri theksoi se mbështetja e partnerëve europianë për Shqipërinë mbetet e madhe, por paralajmëroi se sjellja e mazhorancës mund të krijojë probleme serioze nëse vazhdon në të njëjtën linjë.

“Ne kemi hapur negociatat, por sfida është mbyllja e tyre. Nëse do krijojmë pengesa të tilla, të çojmë sinjale në Bruksel duke mbrojtur të korruptuarit, integrimi ynë vendoset në rrezik”, deklaroi ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re