Kandidati për ambasadorin e ri amerikan në Shqipëri zbardhi një axhendë të qartë që fokusohej në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe karteleve të drogës, duke treguar një qasje diplomatike në përputhje me interesat e qytetarëve dhe forcimin e shtetit ligjor.

I ftuar në  nje emision televiziv, Nikola Kedhi, këshilltar i grupit parlamentar të PD, deklaroi se situata e krijuar në Porto Romano dhe prioritetet e kandidatit të ri amerikan për ambasador në Shqipëri janë tregues të qartë të një axhende diplomatike që mbështet luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe karteleve të drogës.

Ai shprehet se kjo vendos interesin e qytetarëve shqiptarë mbi çdo lloj interesi të ngushtë politik apo gjeopolitik.

Kedhi theksoi se Shqipëria nuk mund të humbasë trenin e zhvillimeve strategjike dhe duhet të qëndrojë e ankoruar fuqishëm në aleancën euroatlantike, duke shmangur çdo influencë që bie ndesh me interesat e vendit.

Pjesë nga deklarata:

Ka premisat për të qenë një ambasador ndryshe. Një ambasador që, natyrisht, i shërben interesit të tij, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç natyrisht do të duhej të ishte, por dhe për të ndihmuar Shqipërinë në disa aspekte, në të cilat vendi ynë ka çaluar vitet e fundit. Lufta kundër krimit të organizuar, karteleve të drogës, korrupsionit janë çështje që shqetësojnë qytetarët shqiptarë, çështje që i ka ngritur opozita shqiptare vazhdimisht. Partia Demokratike i ka pasur madje argumenta të forta dhe ka ngritur zërin vazhdimisht për të sensibilizuar komunitetin ndërkombëtar. Dhe është, natyrisht, një gjë e mirë që dhe i nominuari për ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ngriti pikërisht këto prioritete tona dhe prioritetet e qytetarëve shqiptarë. Ndaj mund të themi se kemi një të nominuar për ambasador dhe, me gjasë, sa të jetë ambasadori i Amerikës në Shqipëri, kemi një ambasador të ardhshëm që ka të njëjtat interesa, ose interesat e të cilit përputhen me ato të shqiptarëve.

Po dhe kjo është më e rëndësishmja për ata: që Shqipëria të vazhdojë të jetë e qëndrueshme, po themi, në sferën e influencës perëndimore, veçanërisht atë amerikane. Nuk duhet të surprizohemi për këtë gjë, sepse ishte dhe në dokumentin e strategjisë kombëtare të firmosur nga presidenti Trump në dhjetor të vitit të kaluar, ku Ballkani përmendet, madje në një seksion më vete ne e kemi diskutuar, si një zonë ku do të duhen luftuar influencat ruse apo kineze, apo influenca të tjera të cilat bien ndesh me interesat amerikane, po dhe të perëndimit në përgjithësi.

Ajo që ndodhi me Porto Romanon ka ngritur këmbanat e alarmit te partnerët tanë brenda NATO-s, veçanërisht te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por dhe te Gjermania gjithashtu. Kujtoj këtu një letër të presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, drejtuar kryeministrit shqiptar për atë që po ndodhte në Porto Romano me kompani dhe me individë, të raportuar dhe në media si të lidhur me oligarkë rusë apo nën sanksione, me kompani nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Bashkimi Europian. Madje i bën thirrje qeverisë shqiptare që ta anulonte tenderin asokohe; vetëm disa javë më përpara nuk ka kaluar shumë kohë, dhe e cilësonte si një mundësi që i vjen Shqipërisë një herë në shekull. Dhe ne duhet ta kuptojmë këtë, që nuk duhet të humbasim trenin në një farë mënyre të zhvillimeve gjeopolitike që po ndodhin, siç ka ndodhur shumë herë përgjatë historisë sonë.

Vullneti i popullit shqiptar është, në mënyrë të vendosur, në Perëndim, në bashkësinë europiane, në komunitetin europian, në kontinentin ku ne jemi, me një aleancë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse kjo është në interesin tonë. Dhe aventurat më pas të qeverisë shqiptare, të kryeministrit Rama, për interesat e tij të ngushta me aktorë të tjerë gjeopolitikë, natyrisht nuk janë në interesin tonë. Ndaj them që është shumë e rëndësishme, sepse jo domosdoshmërisht do të duhej të ndodhte kështu; kemi pasur dhe ambasadorë që i kanë shërbyer interesave specifike dhe as interesave të vendeve të tyre, jo më të tona. Kështu që është lajm i mirë që ambasadori amerikan në Shqipëri, përpara në seancën në Senat, shprehu këto prioritete që janë dhe prioritetet tona. Dhe kjo duhet të na bëjë optimistë, natyrisht mbetet për t’u parë.

Ne duhet të kemi të qartë një gjë: Shtetet veprojnë sipas interesave. Në këndvështrimin tim, gjithçka tjetër është fiksion, është trillim. Nga naiviteti i qasjes liberale ose ndërkombëtare në marrëdhëniet politike, deri tek ajo komplet e kundërt që është realizmi, ku shtetet kanë vetëm interesa dhe veprojnë të tilla, në mes ekziston një rrymë që është ajo e realizmit parimor, të cilën e ndjek kjo administratë. Duhet të kuptojmë këtë për të kuptuar veprimet e kësaj administrate amerikane. Por, në thelb, kjo rrymë e realizmit parimor është më afër realitetit, mënyrës se si sillen shtetet.

Tani shtetet kanë interesat e tyre brenda një qytetërimi të caktuar ose një aleance më të gjerë. Ne duhet të shikojmë se cili është roli ynë brenda kësaj aleance më të gjerë dhe cilat janë interesat tona, a përputhen…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re