Ka dhënë frymën e fundit pas 4 ditësh në luftë me jetën, 60-vjeçari shqiptar Rudi Simaneta i cili humbi ekuilibrin gjatë orarit të punës së tij si fermer, dhe ra nga 3 metra lartësi me kokë në tokë, mëngjesin e së shtunës, më 16 maj.

Lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të punëtorit shqiptar, u bë me dije nga mediat italiane të cilat raportojnë se Simaneta, pavarësisht përpjekjes së mjekëve për ta mbajtur në jetë, mbylli sytë përgjithmonë mbrëmjen midis të martës e të mërkurës.

Ndërsa mësohet se Simaneta ishte punonjës i një ferme lokale në zonën Cascina Americana, të vendosur në jug të qytetit, drejt Montebello della Battaglia, dhe në momentin e tragjedisë supozohej të pastronte murin e një magazine.

Për të kryer punën e tij, thuhet se shqiptari u ngjit në krahët e një piruni për të arritur në majë të magazinës, mëngjesin e së shtunës. Në 3 metra lartësi, 60-vjeçari papritmas humbi ekuilibrin dhe ra poshtë duke goditur kokën në dysheme.

Sapo dëgjuan zhurmë dhe britmat e tij, kolegët e shqiptarit nxituan për ta ndihmuar por Rudi Simaneta kishte humbur ndjenjat.

Ndërsa thuhet se në vendngjarje mbërritën menjëherë bluzat e bardha të cilët u përpoqën ta ringjallnin 60-vjeçarin.

Ai u transportua për në spitalin San Matteo, ku mbërriti në gjendje kritike për jetën.

Prej 4 ditësh i shtruar në spital, shqiptari ishte në gjendje kritike deri mbrëmjen e djeshme kur mjekët e shpallën të vdekur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re