Një faturë e frikshme financiare prej qindra miliona eurosh rrezikon t’i përplaset në fytyrë shtetit shqiptar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, si pasojë e drejtpërdrejtë e skandalit me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA).

Përplasja ka arritur kulmin institucional pas letrës ultimative që sipërmarrësi zviceran Behgjet Pacolli i ka drejtuar zyrtarisht kryeministrit Edi Rama, duke paralajmëruar prerazi se nëse bllokimi i dhunshëm i punimeve dhe dëbimi i kompanisë së tij nuk zgjidhen urgjentisht, pas datës 28 maj Shqipëria do të përballet me një padi fatale në Arbitrazh. Ky gjyq ndërkombëtar rrezikon të sanksionojë një dëm që përllogaritet në rreth 350 milionë euro, duke u shndërruar në një katastrofë financiare për xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

Ky projekt, i shtrirë në një sipërfaqe prej 309 hektarësh pranë fshatit Akërni mbi një ish-pistë ushtarake, u konceptua si një nyje strategjike për turizmin në jug të vendit, por sot dëshmon se si Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, nën drejtimin e ministrit aktual Enea Karakaçi, po funksionon si një zgjatim i pastër dhe mbrojtje politike për rrjetin e interesave hije të paraardhëses së tij, Belinda Balluku. Përmes një skene të mirëorganizuar ku ndërthuren deklaratat kërcënuese shtetërore, ndërhyrjet brutale policore dhe kontratat e dyshimta, institucionet publike po legjitimojnë me forcë spastrimin e investitorit kryesor privat për t’ia kaluar kontrollin e veprave të sigurisë kombëtare njerëzve të lidhur familjarisht me kupolën e ministrisë.

Skandali

Dinamika e fundit e ngjarjeve tregon qartë se Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, po luan një rol të paracaktuar si një “zar” i bindur në shërbim të skemës së trashëguar nga Belinda Balluku. Karakaçi doli dje përpara mediave në një konferencë shtypi duke mbajtur një qëndrim të ashpër zyrtar, ku deklaroi se shteti nuk do të tolerojë më asnjë vonesë dhe se do të nisë me penalitetet në respektim të kontratës e deri në zgjidhjen e njëanshme e prishjen e koncesionit. Sipas ministrit, mos-operimi ose bllokimi i aeroportit, i cili duhet të kishte nisur fluturimet që në mars por që aktualisht nuk ka asnjë afat për shkak të mos-përfundimit të infrastrukturës civile dhe mungesës së certifikimeve, nuk është thjesht çështje biznesi privat por një çështje e interesit publik dhe shtetëror që po mban peng një vepër të sigurisë kombëtare, duke shkaktuar humbje ekonomike të matshme për operatorët turistikë, komunitetin lokal dhe buxhetin e shtetit.

Mirëpo, ky qëndrim parimor i Karakaçit shpërfaqet si një alibi e rreme dhe hipokrite pasi bllokimi i punimeve në kantier nuk erdhi nga paaftësia e investitorit kryesor, por nga një ndërhyrje e dhunshme dhe e njëanshme e Policisë së Shtetit e kryer më 19 maj 2026. Forcat publike të rendit u rreshtuan hapur në favor të aksionerit minoritar prej vetëm 2% dhe penguan fizikisht rreth 200 punonjësit, inxhinierët dhe specialistët e shoqërisë “Mabco Constructions” të Behgjet Pacollit që të hynin në vendin e punës, duke e paralizuar kantierin në një moment kritik kur terminali ishte vetëm pak kohë larg përfundimit të plotë dhe ishin kryer mbi 90% e punimeve totale. Ky përjashtim arbitrar nga kompania koncesionare VIA zgjati për 5 ditë rresht dhe shkaktoi një dëm financiar imediat prej 4 milionë eurosh për rreth 30 deri në 40 nënkontraktorë që nuk u lejuan të dorëzonin punët, duke bërë që ekipi ligjor i “Mabco” ta denonconin aktin si një dështim të rëndë të shtetit të së drejtës ku policia po përdoret si instrument privat për të dëbuar investitorin që ka hedhur miliona euro kapital. Dalja e menjëhershme e Karakaçit në konferencë për të kërcënuar me prishje kontrate duke përdorur pikërisht vonesat e krijuara nga ky bllokim policor zbulon skenarin e koordinuar ku shteti përdor forcën për të përzënë investitorin fizik dhe ministrin për të goditur kontratën, duke i hapur qëllimisht rrugën rrezikut të Arbitrazhit ku Pacolli ka vendosur tashmë ultimatumin e datës 28 maj.

Rrjeti i interesave

Arsyeja pse Ministria e Transporteve po përdor forcën publike dhe instrumentet shtetërore për të mbrojtur aksionerin minoritar prej 2% dhe për të sulmuar Pacollin fshihet pas një rrjeti interesash ku fijet të çojnë sërish te lidhjet familjare të Belinda Ballukut. Konflikti i brendshëm mes “Mabco” që mban 98% të aksioneve dhe shoqërisë kosovare “2A Group” që zotëron vetëm 2% shpërtheu në vjeshtën e vitit 2025 për kontrollin administrativ dhe ndarjen e kuotave të shoqërisë koncesionare VIA sh.p.k., pasi pronari i “2A Group”, Valon Ademi, pretendoi se kishte një kontratë noteriale të fshehtë të prillit 2025 ku Pacolli pranonte rritjen e pjesëmarrjes së tij në 49%, kontratë e cila nuk u regjistrua në QKB dhe iu shmang miratimit të ministrisë për të evituar kontrollin shtetëror.

Pacolli i ka hedhur poshtë këto pretendime duke e denoncuar marrëveshjen si të falsifikuar në Prokurorinë e Tiranës që në janar të vitit 2025 dhe duke akuzuar administratorët Vegim Hoxha, Bujar Ejupi dhe partnerët Valon Ademi e Valon Lluka për marrje të dhunshme të kantierit, ndonëse prokuroria ka nisur paralizuar hetimet ndaj vetë Pacollit për mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh pas sigurimit të padisë që Gjykata e Tiranës dhe Gjykata e Apelit pranuan më 10 tetor 2025, duke pezulluar të drejtat e votës së “Mabco” dhe duke i njohur pakicës administrimin e përkohshëm për të bllokuar një kredi prej 100 milionë eurosh nga fondi “Delphos” që Pacolli po kërkonte duke përdorur projektin si kolateral.

Shkeljet

Gatimi i parregullt dhe paligjshmëria shtetërore e këtij koncesioni ka nisur që në tenderin e shpallur në fund të vitit 2020 nën drejtimin e Ballukut, ku u vërtetua një varg i gjatë shkeljesh të qëllimshme për të paracaktuar fituesin, duke filluar nga ndryshimi i kritereve në momentin e fundit ku kapaciteti i aeroportit u zbrit nga 10 milionë pasagjerë me dy kulla kontrolli në vetëm 2 milionë pasagjerë me një kullë kontrolli vetëm katër ditë para garës, si dhe skualifikimi i padrejtë i kompanisë konkurrente britanike “AL-DE Corporation LTD” ndonëse kishte kushte shumë më të favorshme për interesin publik, gjë që çoi në denoncimin e garës si të parregullt përpara nënshkrimit të kontratës më 20 prill 2021 me konsorciumin e përbërë nga “Mabco” me 58%, “YDA Group” me 40% dhe “2A Group” me 2%.

Mënyra fiktive e këtij tenderi u zbulua nga vetë rrëfimet publike të Behgjet Pacollit, i cili tregoi se ishte njoftuar në telefon nga pronari i kompanisë turke “YDA Group” se ishin udhëzuar nga presidenca turke të futeshin në garë vetëm formalisht për të plotësuar kriterin e eksperiencës teknik që konsorciumit i mungonte, dhe sapo u shpallën fitues turqit u larguan në shtator 2022 duke shitur në letra 40% të aksioneve për vlerën simbolike prej 4,450 eurosh, ndonëse Pacolli dëshmoi se ata arkëtuan realisht 3 milionë euro cash vetëm për dhënien e letrave. Kjo skemë është identike me atë të tenderit të tunelit të Llogarasë ku kompanitë turke u futën vetëm formalisht pa bërë asnjë punë dhe u larguan me miliona euro, ku te tuneli SPAK ka kapur mesazhe të kompanisë turke “Interkar ASL” që pretendonte se ishte e preferuara e presidentit, ndërsa te aeroporti Balluku kishte një marrëveshje sekrete me turqit siç dëshmoi Pacolli, i cili tregoi se gjatë një takimi në zyrën e saj ministrja nuk i drejtoi asnjë fjalë biznesmenit kosovar, foli vetëm me turkun dhe e nxori Pacollin jashtë përpara shpalljes së garës. Ligji për Koncesionet detyronte që përpara ndryshimit të çdo aksioneri duhej marrë miratimi paraprak i Autoritetit Kontraktor dhe Ministrisë së Financave për të ndaluar largimin e partnerit teknik pa u zëvendësuar, por Ministria e Infrastrukturës jo vetëm që nuk ngriti alarm, por lejoi ndryshimin e klauzolës në negociata dhe shitja e aksioneve u miratua në dhjetor të vitit 2022 nga vetë Belinda Balluku dhe ministrja e Financave, duke vërtetuar se ishin palë në organizimin e garës fiktive.

Gjatë miratimit të kontratës në prill të vitit 2021, Ministria e Infrastrukturës shpërfilli hapur vërejtjet dhe rekomandimet zyrtare të Ministrisë së Financave, të cilës iu lanë vetëm tri ditë kohë për të vlerësuar kontratën voluminoze pa i vënë në dispozicion 21 anekse thelbësore, duke injoruar kërkesën e prerë për heqjen e neneve 15.9, 15.10 dhe 15.11 të cilat ngarkonin buxhetin e shtetit me përgjegjësinë për të paguar kreditë bankare të privatit në rast të zgjidhjes së parakohshme të kontratës. Ky injorim solli shkelje të rënda administrative ku shteti mori përsipër mbulimin e një kredie prej 56 milionë eurosh të marrë nga koncesionari pranë bankave dhe të garantuar në mënyrë të paligjshme nga buxheti publik, nga e cila 22 milionë euro janë realizuar si kredi deri në fund të vitit 2024, ndërkohë që investimi real i realizuar në periudhën 2021–2024 mbeti vetëm 42.6 milionë euro, që përbën rreth 40% të investimit të projektuar total prej 104.3 milionë eurosh, ku vetëm 10 milionë euro ishte kapital i vetëpërdorur nga “Mabco” dhe 9.7 milionë euro mbeten detyrime të papaguara ndaj nënkontraktorëve vendas. Për më tepër, shteti i garantoi koncesionarit të ardhura prej 138 milionë eurosh për 10 vitet e para të operimit, duke tejkaluar me 130% investimin total të premtuar dhe duke shkatërruar parimin e ndarjes së rrezikut, pasi shteti ka krijuar një skemë ku privati përfiton miliona euro pa mbartur asnjë rrezik komercial, duke transferuar të gjithë barrën financiare mbi taksapaguesit shqiptarë.

Hetimet e SPAK

Paralelisht me krizën në kantier dhe kërcënimet e Karakaçit, koncesioni po përballet me një goditje të rëndë penale nga drejtësia e posaçme pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar një procedim penal për këtë kontratë që prej korrikut të vitit 2025 nën drejtimin e prokurorit Klodian Braho. Hetimet kanë konstatuar shkelje të rënda të barazisë në tendera dhe në prill të vitit 2026 prokurori Klodian Braho u komunikoi zyrtarisht akuzat e para si të pandehur anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO). Përveç korrupsionit financiar, projekti përfaqëson një cenim të rëndë të drejtësisë mjedisore dhe të drejtave të qytetarëve, pasi aeroporti është ndërtuar brenda zonës së mbrojtur ligatinore Vjosa-Nartë, një ekosistem me rëndësi ndërkombëtare që shërben si rrugëkalim kritik për mbi 220 lloje shpendësh në korridorin e Adriatikut (Adriatic Flyway), ndërtim i cili u bë në shkelje të legjislacionit vendas dhe Konventës së Bernës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re